Realizohet me sukses ndërhyrja e rrallë në QSUT, mjekët i shpëtojnë jetën 40 vjeçarit

58

Një ndërhyrje e rrallë, e shkallës së lartë të vështirësisë, për heqjen e plotë të tumorit, në një zonë tejet delikate, në thellësi të trurit, është realizuar me sukses në Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT.

Mirënjohje për këtë ndërhyrje të suksesshme ekipit te mjekëve me Prof. Asc. Arsen Seferi, Prof. Asc. Ridvan Alimehmeti, Dr. Elvis Dervishi, Dr. Ejona Lilamani, Dr. Mithat Demneri, Dr. Kliti Pilika.

Mjeku neurokirurg, Arsen Seferi informoi se, bëhet fjalë për një pacient 40-vjeçar, i cili kishte një patologji në një rajon shumë të vështirë ose shumë delikat të trurit.

“Natyrisht kryerja e këtij operacioni shumë delikat, shumë të vështirë dhe shumë të rrallë nuk mund të kryhet pa mbështetjen e teknologjisë. Salla jonë është e pajisur me të gjitha teknologjitë. Shpeshherë në disa zona të caktuara të trurit ndërhyrja kirurgjikale mund të shoqërohet me paraliza të parikuperueshme. Ne kemi hequr një tumor në një zonë shumë delikate ku për shumë vite, madje edhe sot e kësaj dite, edhe në struktura të tjera jashtë Shqipërisë mund të bëhej vetëm biopsi ose mund të hiqej vetëm një pjesë e tumorit”, tha ai.