Regjimi ushqimor që u duhet grave për një zemër të fortë

13

Vajzat dhe gratë të cilat duan të kenë një zemër të shëndetshme, duhet të konsumojnë shumicën e kalorive ditore brenda pasdites. Këtë e thotë një studim i Universitetit të Columbias në Shtetet e Bashkuara.

Sipas studimit, nëse gratë dhe vajzat hanë të gjitha vaktet përpara orës 18:00 rreziku i sëmundjeve të zemrës ulet. Nëse njeriu merr më shumë kalori pas orës 18:00 apo pas orës 20:00, ky rrezik është më i lartë.

Ushqyerja në orët e vona të ditës e bën më të vështirë metabolizmin sepse çdo gjë në organizëm funksionon në bazë oraresh.

Oraret rregullohen nga truri dhe nëse ka mospërputhje në organet e tjera, siç është stomaku, në trup krijohet një problem metabolik që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Ekspertët shpjegojnë se gratë duhet të konsumojnë nga 1600 në 2400 kalori në ditë. Burrat duhet të konsumojnë nga 2000-3000 kalori në ditë.

Të dhënat e ekspertëve thonë se nëse njeriu merr qoftë edhe 1% më shumë kalori pas orës 18:00, atëherë ai rrezikohet nga tensioni i lartë i gjakut dhe nivele të larta të sheqerit në gjak.