Regjistrimi në Universitet, ja nota mesatare për pranimet. Gjithçka që duhet të dinë maturantët

136

Këshilli i Ministrave miratoi notën mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2020-2021 dhe 2021-2022 e në vijim.

Sipas vendimit të qeverisë, kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2020-2021, në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5 (gjashtë pikë pesë).

Në programet e studimit të gjuhëve të huaja, do të pranohen minimalisht me notë mesatare 7 (shtatë). Ndërsa në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë, minimalisht me notë mesatare 7.5 (shtatë pikë pesë).

Vendimi përcakton se kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2021-2022 dhe në vijim, në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 7 (shtatë).

Sipas vendimit të Qeverisë, në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë,  pranim do të jetë minimalisht me notë mesatare 8 (tetë).

“Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci”, përcaktohet në vendim.

Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, përcaktohet që studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016–2017 dhe në vijim.

“Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Në bazë të vendimit, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, si dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë sipas vendimit përcaktohet të kryhet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat tek institucioni arsimor vendor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar.