Rijetëzimi i Kalasë së Tepelenës dhe ndërhyrjet në zonat periferike, gati projekti i FSHZH

62

Kalaja e Tepelenës do t’i nënshtrohet një projekti që synon të bëjë rijetëzimin dhe përmirësimin e vlerave të Kalasë së Tepelenës pjesë e planit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në tre vite.

Tashmë ky institucion ka nisur procedurën e prokurimit së bashku me projektin “Rigjenerimi Urban në zona periferike dhe informale dhe në fshatra me popullsi të dendur” dhe sëbashku fondi limit është pak më shumë se 8 milionë euro.

Fondi nënvizon se Kalaja e Tepelenës, për shkak të historisë së krijimit të saj, paraqet një potencial të madh turistik, i cili duhet zhvilluar dhe shfrytëzuar, për rritjen e ofertës turistike të qytetit dhe nxitjen e ekonomisë lokale.

“Nga ana tjetër, pozicioni strategjik i Kalasë dhe qytetit të Tepelenës në përgjithësi, i ndodhur midis dy qyteteve që aktualisht janë treg turistik, si Gjirokastra dhe Përmeti, por edhe përgjatë rrugës nacionale që lidhet me Greqinë dhe më shumë destinacione të tjera në jug, favorizon futjen e këtij produkti turistik që do të krijohet, në zinxhirin e ofertës turistike të jugut.

Duke konsideruar se aktualisht, në Gjirokastër dhe Përmet, është duke u zbatuar nga FSHZH, me financim të Bankës Botërore, Programi i Zhvillimit të Integruar Urban dhe Turistik, kjo ndërhyrje strategjike në Kalanë e Tepelenës, do të diversifikonte portofolin e turizmit të qarkut Gjirokastër në përgjithësi” thuhet në dokument.

Por cilat janë ndërhyrjet që parashikon në fakt projekti për Kalanë e Tepelenës?

Së pari sistemimin e hapësirave publike ndërmjet objekteve dhe integrimi i tyre urban dhe funksional.

Së dyti përmirësimin e rrugëve lidhëse dhe komunikuese të objekteve të ndodhura në zonë, me qëllim plotësimin e rrjetit rrugor të brendshëm.

Së treti ndërhyrje rehabilituese dhe përmirësuese të fasadave, çative, mureve rrethuese, dyer, dritare, e të gjithë elementeve të “huaj” etj. duke synuar unifikimin dhe integrimin në kontekstin e ri urban.

Së katërti idejimi dhe ndërtimi i strukturave që mundësojnë krijimin e pikave të reja vrojtimi dhe panoramike të peizazhit përreth dhe përtej mureve të Kalasë.

Së pesti mobilim urban, ndriçim publik dhe estetik i Kalasë, rrugëve lidhëse, hapësirave publike, objekteve. Po kështu idejimi i sistemit të informimit dhe orientimit turistik, si dhe qarkullimit të këmbësorëve dhe automjeteve, sinjalistikë, tabela informuese.