Shëngjergji, “kryeqendra” e turizmit në Malësinë e Tiranës (Fotot)

19

Vetëm 1 orë nga Tirana, mes një peisazhi që gjelbëron në pranverë dhe harbon me ngjyrat më të bukura në vjeshtë, ndodhet Shëngjergji, një nga bukuritë më impresionuese të Malësisë së Tiranës. Nga Tirana deri në fshatin Shëngjergj rruga është e gjitha e asfaltuar dhe për afro 30 km gjarpëron mes disa bukurive pikante të peisazhit, që normalisht duhet të përshkosh qindra kilometra në Shqipëri për t’i zbuluar e shijuar.

Për të mbërritur deri në fshat, përveç udhëtimit me makinë private, Bashkia e Tiranës ka mundësuar edhe transportin e rregullt publik. Pasi lë pas bukuritë mahnitëse të Malit të Dajtit, përpara nisin të shfaqen male, pyje, përrenj, të cilët e bëjnë gjithnjë e më të freskët udhëtimin.  Malësia e Tiranës paraqet shumë karakteristika, me mundësi të shkëlqyera për turizmin malor. E në këtë sens Shëngjergji duket se është kërthiza e kësaj joshje turistike. Distanca e afërt nga Tirana i jep avantazh që të sigurojë prurje vizitorësh. Gjithnjë e më shumë vihet re se banorët e zonës po përpiqen të shfrytëzojnë potencialet piktoreske të natyrës, me gatimet dhe mikëpritjen karakteristike të zonës.  Turizmi familjar është bërë kryefjalë në Shëngjergj, aq më shumë që Shëngjergji bën pjesë tashmë në projektin e 100 fshatrave të ndërmarrë nga ana e qeverisë, ku përparësi kanë projektet në fushën e agro turizmit.

Ujëvara e Shëngjergjit

Pasi ke përshkuar afro 22 km nga Tirana, në krah të majtë të rrugës për në Shërgjergj, ndodhet Ujëvara e Shëngjergjit, një mrekulli nga pikëpamja e peisazhit, por edhe e mundësisë për pak freski e pse jo dhe për tu kredhur në ujin që rrëshqet rrëmbimthi mbi shpat. Ujëvara e Shën Gjergjit është shndërruar në një destinacion të lakmuar për kryeqytetasit, si dhe turistët e huaj, që gjithnjë e më shumë po vizitojnë zonën. Ujëvara gjendet pranë fshatit dhe ka një lartësi prej 30 metrash. Ajo furnizohet me ujë nga Mali me Gropa dhe ushqen me ujë përroin, uji i të cilit përdoret dhe për vaditje.