Shifrat zyrtare/ Sa udhëtarë ‘preferuan’ avionin dhe sa tragetin në 2019

24

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, shifrat mbi numrin e pasagjerëve vendas dhe të huaj që kanë udhëtuar nga dhe drejt Shqipërisë, në rrugë ajrore dhe detare, rezulton se ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit për vitin 2019 krahasuar me vitin paraardhës.

Numri i udhëtarëve që kanë lëvizur në rrugë ajrore ka regjistruar një rritje me  13.3%, konkretisht me rreth 400 mijë njerëz më shumë në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018, ndërsa ai detar një rritje prej 3.4 % çka përfaqëson rreth 51 mijë njerëz më shumë, për po të njëjtën periudhë krahasimore.

Nga ana tjetër sipas INSTAT, transporti hekurudhor ka pësuar një rënie për periudhën janar-dhjetor 2019, krahasuar me vitin 2018 prej 21.2%, konkretisht nga 75 mijë e 881 njerëz ka zbritur në 59 mijë e 787 njerëz.

Për muajin dhjetor 2019 transporti ajror dhe detar kanë pasur një rritje me përkatësisht 0.7% dhe 19.5% në raport me muajin dhjetor të vitit 2018 ndërsa nga ana tjetër transporti hekurudhor ka shënuar një rënie drastike me gati 90% për po këtë periudhë.

Lëvizja me rrugë ajrore është mënyra e preferuar e shqiptarëve dhe të huajve që udhëtojnë nga dhe drejt vendit tonë, si në vitin 2018 ashtu dhe në vitin 2019 me shifër totale të pasagjerëve për këtë të fundit me rreth 3 milion e gjysëm njerëz.