Si sot në histori/ 83 vjet më parë, si u ndërtua ujësjellësi i Tiranës

122

Si sot, më 18 korrik 1939, qyteti i Tiranës ndërmori një hap të rëndësishëm urbanistik me fillimin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë fakt, të 83 vjetëve më parë, nëpërmjet dokumenteve e fotove arkivore, sipas të cilave Ministria e Punëve Publike ia besoi planin e kësaj sipërmarrjeje studios së inxhinierëve Angelo Omodeo-s dhe Claudio Marchello-s, me qendër në Milano. Plani i propozuar nga inxhinierët që më 1937-ën, kishte si objektiv ndërmarrjen e hapave për furnizimin me ujë të qytetit të populluar deri në 62.000 banorë, dendësi kjo që parashikohej të arrihej deri në 1970-ën.

Ky hap vinte paraprakisht edhe me nevojën e urbanizimit të Tiranës, si edhe me shtimin e popullatës kryeqytetase. Uji që do të furnizonte Tiranën do të vinte nga Selita dhe do të shtrihej në tubacione drejt një hapësire prej 5250 metrash, duke mundësuar një prurje prej 1,5 litrash në sekondë.

Krahas fotove, pasqyrohet edhe një pjesë e planit të ndërtimit të këtij ujësjellësi.