Nga dita e Martë nisin aplikimet e subjekteve dhe individët për të përfituar pagën prej 40 mijë lekësh të vënë në dispozicion nga qeveria, me qëllim lehtësimin e situatës ekonomike, pas pasojave të shkaktuara nga masat e marra ndaj COVID – 19.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bën me dije se për të dorëzuar formularin “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2”, tatimpaguesit të cilet plotësojnë kriteret, do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing dhe do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie duke filluar nga data 21 Prill e në vijim.
Sipas administratës tatimore, aplikimi do të kryhet nga subjekti , dhe punonjësit që figurojnë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagesë. Të dhënat e llogarisë bankare, bëjnë pjesë në të dhënat e detyrueshme për t’u plotësuar në formularin e përfitimit të ndihmës financiare, të cilat duhet disponohen nga individët përfitues dhe duhet t’i vihen në dispozicion subjektit, përpara kryerjes së aplikimit elektronikisht në llogarinë e deklarimit elektronik.
Subjektet që do të plotësojnë kërkesën, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku banka dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë të rëndësishme. Plotësimi jo i saktë i këtyre të dhënave bllokon proçesin e kalimit të pagesës në llogarinë e individëve përfitues.
Individët, me status i vetëpunësuar duhet të kenë patjetër një llogari bankare personale apo biznesi dhe po ashtu edhe individët përfitues siç janë punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; të punësuarit në personat fizikë tregtarë; të punësuarit në personat juridikë.
Pëfitues të kësaj pagese janë të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë, të mbyllura sipas urdhrave të qeverisë; të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrave të Ministrisë deri në datën 10 Prill 2020; Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrave të lëshuara nga qeveria.