Të rinjtë shkodranë që po investojnë në ëndrrat e tyre

5

Largimi i të rinjve për në vendet e BE për një të ardhme më të sigurt është kthyer në problem në Shqipëri.

Por ndryshe kanë zgjedhur 2 të rinj në Shkodër, të cilën punojnë si berberë.

Adush Haxhia është 28 vjeç dhe prej një dekade ushtron profesionin e berberit.

Fillimi ishte i vështirë, ndërsa sot duket se mundi i është shpërblyer.

“Këtë profesion e ushtroj që nga viti 2013. Më ka pëlqyer ta ushtroj gjithmonë . E kam nisur nga një biznes shumë i vogël dhe me sakrifica shumë të mëdha u mundova të krijoj një aktivitet, një brand të këndshëm”, tregon Adush Haxhia.

Numri i klientëve është i kënaqshëm dhe modelet që ai ofron në sallonin e tij janë trend në të gjithë Evropën.

“Të ardhurat janë të mjaftueshme, jam shumë i kënaqur me të ardhurat e biznesit që kam. Klientët janë nga 15 deri në 25 vetë në ditë”, thotë ai.

Më kalimin e kohës, nga një biznes i vogël personal, Adushi ka punësuar dhe tre kolegë të tjerë, me dëshirën që edhe ata të marrin një zanat që mund t’i mbajë në vendin e lindjes.

Urimi është 22 vjeç dhe prej më shumë se një viti ushtron profesionin e berberit.

Këtë profesion e pëlqen shumë dhe çdo ditë fiton eksperiencë.

“E nisa me dëshirë të madhe për të filluar këtë zanat. Më ka pëlqyer që i vogël dhe doja ta përhapja talentin tim”, thotë Urim Boshnjaku.

Për të gjithë ata që po e mendojnë largimin, Adushi ka një mesazh.

“Unë i sugjeroj çdo të riut që çdo ëndërr, që kanë me shumë sakrifica dhe vuajtje si çdokush, se unë e kam kaluar vetë këtë provë. Por i sugjeroj çdokujt që ta realizojnë ëndrrën në qytetin e tyre, sepse askund nuk është e lehtë, jashtë vendit, por në qytetin tonë mund të kemi të ardhura të mjaftueshme që të ndërtojmë ëndrrën tonë”, apelon Haxhia.

/euronews.al