T’i japësh publikut atë që do…

346

Nga Afrim Karoshi

Ne si familje e shmangim të parit e TV bashkë me fëmijët. Shumicën e rasteve. Eshtë dukshëm jo e përshtatshme shumicën e kohës.

Bëjmë një përjashtim për Voice of Albania. Ka muzikë, ka talente, ka surpriza, ka emocione. Edukues – për aq sa i nxit edhe fëmijët që të punojnë fort për pasionin e tyre – në këtë rast muzikën.

E prapë duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë mesazhesh komunikohen në atë hapësirë. Dy javë më parë, m’u desh të nxitohem në ndryshimin e kanalit kur fillon e shfaqet një reklamë, sikur të ishte një film erotik.

Nuk e vura re atë natë se çfarë ishte. Derisa lexova një pjesë të reagimit të “aktores” I. B në gazetën Panorama. Argumenti i saj, sipas Panorama-s, është se ajo është një personazh i njohuri i ekranit dhe publikut duhet t’i japësh atë që do.

Kuptohet që “aktorja” – personazhi i njohur i ekranit – ka lirinë të ketë mendimin e saj për këtë çështje. Edhe Digitalb, që ka sponsorizuar reklamën ka të drejtë të transmetojë çfarë të dojë.

Por, si pjesë e publikut, kam të drejtë të pyes gjithashtu: po unë, a jam publik? Fëmijet e mi, a janë “publik” gjithashtu? Ku është bërë kjo analizë e publikut që trumbetohet si kërkesë e tij? Në cilën orë shikon ky publik televizor? A është Voice of Albania programi i këtij publiku?

A mos e ka fjalën “aktorja” për publikun “elitar” të Tiranës, që shfaqet në promovimet e filmave erotikë të radhës? Unë nuk jam kundër lirisë së njerëzve që të shikojnë çfarë të duan, por gjithashtu, jam kundër rrymës së imoralitetit që pretendon, përmes një audience “elitare tiranase” (elitë tiranase: lexo të pasur që s’kanë lexuar shumë rreth botës, edhe duan paditurinë e tyre në fushën e seksualitetit, të na e shesin si përparim i kulluar kulturor) të na imponojë ne të tjerëve se çfarë është e pranueshme e se çfarë jo.

A mos është prapë kjo filozofia që “i japim publikut çfarë do” që nxit reklama striptizmi që të shfaqen rrugëve të Tiranës pa asnjë lloj kriteri? Por, sipas një matematike të thjeshtë, sa njerëz prej këtij publiku, përfundon çdo javë në klubet e striptizmit? 1000? 10.000? 100.000? 1 milion? 1 milion e gjysmë? Gjithë Tirana?

Nga aritmetika duket se ky publiku nuk është shumë. Ndaj, ato reklamat i duhen shfaqur vetëm “atij publiku që do.”

Edhe në TV, mendoj që “publiku” që do reklama si ajo e Digitalb për Shën Valentin, mund të mos jetë ashtu siç mendojnë protagonistët. Mund të jetë shumë më pak. Ju lutem, shfaqeni atë në orarin kur “ky publik” të jetë duke pritur “ushqimin” e tyre të preferuar!

Kaq shumë vëzhgime rreth asaj që thuhet, sa nuk del kohë e vëmendje fare për pyetje e duhur, për thelbin e bisedës: A duhet t’i japim publikut atë që do, apo duhet ta edukojmë publikun të dojë gjënë e duhur e të mirë? Po kujt t’ia bësh këtë pyetje? Nëse “intelektualët”, “elitat”, “aktorët” nuk përdorin shumë trurin, pyetjet do qarkullojnë në sistemin e tyre “intelektual” krejt të patretura… dhe thelbi nuk ka sesi të përvetësohet!

Dhe në fund një këshillë, kot sa për estetikë, për Digitalb: reklama e një hardisku me skena të forta erotike, nuk është shenjë e krijueshmërisë së mirë artistike… Ju lutem mos e shisni mungesën e krijueshmërisë me art, e as mos ia vishni dobësinë tuaj artistike shijeve të publikut… Nuk ka sesi një hardisk të jetë kaq erotik! Eshtë thjesht një hardisk! Ku i dihet, në të ardhmen, nëse keni “krijues” me nivel kaq të ulët artistik, mund edhe të humbisni tregun. Ku i dihet…

Me respekt,

Nga një publik që e di se çfarë do, dhe nuk është njësoj me atë që mendoni ju se dua…

Burimi: http://kuturu.org/ti-japesh-publikut-ate-qe-do