“Time”: Berati, sinonim i historisë dhe mikpritjes

0

Shtëpitë e vjetra prej guri, të rreshtuara në brigjet e lumit Osum në Berat po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve me bukurinë e tyre historike, shkruan Naomi Tomky në një artikull të publikuar në “Time”.

Ky vit shënon 80-vjetorin e mbërritjes së forcave gjermane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe të popullit të Beratit që mbrojti shumë prej hebrenjve të vendit që kërkuan strehim, duke ilustruar parimin e kodit shqiptar të Besës, i cili thotë se shtëpia është para së gjithash e Zotit dhe e mikut.

Për të kuptuar më mirë historinë e 400 viteve të historisë hebreje të Beratit, duke përfshirë mënyrën sesi Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë, popullsia hebreje e të cilit u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore, nevojitet një vizitë në muzeun ”Solomon”.

Muzeu etnografik i vendsour në një shtëpi tradicionale përballë rrugës ofron një mjedis shqiptar, së bashku me kishat bizantine të shekullit XIII të Beratit, xhamitë e shekullit XIV dhe një kështjellë mijëravjeçare me pamje nga qyteti unik piktoresk.

Berati ka vazhduar traditën e mikpritjes së jashtëzakonshme në restorantet dhe hotelet e tij.

Përtej urës së Goricës, dhomat moderne në hotelin “Amalia Boutique” ofrojnë pamjen e ndërtesave të lashta prej guri, dhe ftojnë mysafirët të shijojnë rakinë shqiptare të njohur në të gjithë Ballkanin.

Rakia shërbehet gjithashtu në “Lili Home-Made Food”, që duket më shumë si një oborr i një shtëpie në lagjen ”Mangalem” sesa një restorant, pasi mikpritësi me të njëjtin emër argëton mysafirët duke u shpjeguar menunë me gjeste, ndërsa bashkëshortja e tij Mirela gatuan në kuzhinën e tyre familjare.

/ata.gov.al