Tiranë, nisin punimet për një tjetër shesh rekreativ

233

d1-189

Një tjetër shesh rekreativ do t’i shtohet shumë shpejt kryeqytetit, duke krijuar një hapësirë të re për qytetarët, si dhe një kënd të ri lojërash për fëmijët. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e “Raiffeisen Bank”, mundësoi fillimin e punimeve për krijimin e sheshit rekreativ dhe këndit të lojërave në Rr. “Sulejman Delvina”.

Punimet për rikualifikimin e sheshit rekreativ dhe të këndit të lojërave për fëmijët e Njësisë nr. 5, përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të gjelbërimit, parashikon edhe ndërtimin e infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur. Materialet e përdorura janë të çertifikuara sipas standardeve të BE-së, kjo për të rritur sigurinë e fëmijëve që luajnë. Ky është sheshi i 10 që fillon të ndërtohet, tre të tjerë janë proces përfundimi. Në këto muaj, priten të fillojnë edhe së paku katër sheshe të tjera, ai i Kombinatit, i Stadiumit Dinamo, i zonës së Ali Demit, si dhe fushat sportive dhe outdoor fitness tek Kodrat e Liqenit.