Turizmi/ Rifillojnë fluturimet direkte me Kretën, ja nga cila datë

17

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit bën të ditur se nga data 22 qershor do të rifillojnë fluturimet nga Tirana në Kretë me Aegean Airlines, dy herë në javë, të martë dhe të premte.

Po ashtu, fluturimet me Athinën, bëhen të përditshme nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, po me Aegean Airlines.

Ishulli i mrekullueshëm i Kretës, në pjesën jugore të Detit Egje, është një nga ishujt më të ndryshëm të Greqisë, si dhe një nga ishujt më të dashur nga turistët, të gatshëm të përjetojnë një aventurë të ndryshme çdo herë. Shumë shqiptarë jetojnë në Kretë.

Shqipëria pret këtë sezon veror shtim të numrit të turistëve të huaj pasi konsiderohet një vend i sigurt pas rënies drastike të numrit të të infektuarve me COVID-19. Kjo konfirmohet edhe nga numri i lartë i çarterave turistikë të planifikuar si dhe nga shtimi i destinacioneve të reja të fluturimeve. Kësaj i ka paraprirë edhe politika e ndjekur nga qeveria me vaksinimin masiv.

Përgjatë muajit maj e qershor janë shtuar edhe disa destinacione të reja për pasagjerët, Moska, Stokholmi dhe Malmo në Suedi, Amsterdami në Holandë, Riadit, kryeqyteti dhe qendra kryesore financiare e Arabisë Saudite dhe Jerevani kryeqyteti i Armenisë.