Udhërrëfyesit turistikë, nis çertifikimi i tyre. Ja kriteret dhe mënyra e plotësimit të krediteve

165

Udhërrëfyesit turistikë që kanë vetëm certifikatën paraprake duhet që të plotësojnë kreditet e mbetura për të marrë certifikimin final me afat 2 vjeçar.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit njoftoi se tashmë pas akreditimit të programeve të kualifikimit për udhërrëfyesit turistikë ka nisur procesi i certifikimit.

Sipas informacionit zyrtar, udhërrëfyesit turistik të pajisur me certifikatë paraprake, duhet të paraqiten pranë subjekteve që ofrojnë programet e akredituara të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik të miratuara nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe ministria përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional, për të përmbushur të gjitha modulet e plotësuar kreditet e mbetur të programit të miratuar.

Programet e kualifikimit si udhërrëfyes turistik ofrohen nga universitete,  qendra dhe federata sipas specifikës që ka secili.

Referuar kuadrit ligjor, personi i cili do te pajiset me certifikatën e udhërrëfyesit turistik duhet të plotësojë disa kritere si: të jetë mbi moshën 18 vjeç, të ketë mbaruar arsimin e mesëm, të mos ketë qenë i dënuar me heqje lirie për vepra penale të kryera me dashje si dhe të jetë i pajisur me dokumentin që vërteton përfundimin me sukses të programit përkatës të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik, sipas kategorive dhe programeve të akredituara në përputhje me dispozitat e ligjit nr.93/2015, “Për Turizmin”, i ndryshuar.