Udhëzimi i ri, thjeshtohen procedurat e zhdoganimit për mallrat personale

375

Doganat kanë vënë në funksion në të gjithë zyrat doganore e modulin e i të deklarimit të thjeshtuar për të deklaruar mallrat personale që kanë vlerë mbi kufirin e përjashtimit nga detyrimet doganore.

Vlera e mallrave që përfitojnë përjashtim (pa përfshirë këtu produktet e duhanit dhe alkoolit) është 300 euro për çdo udhëtar në rrugë tokësore dhe 430 euro për çdo udhëtar  në rrugë ajrore ose në rrugë detare:

Deklarimi nëpërmjet modulit të deklarimit të thjeshtuar në sistemin kompjuterik të doganës do të kryhet për mallrat në bagazhet udhëtarëve të cilat kanë natyrë jo-tregtare dhe kalojnë vlerat e mësipërme.

Nëqoftëse një individ ose udhëtar importon mallra në sasi që kalon përcaktimet e sipërcituara do të jenë objekt i deklarimit me deklaratë standarte në sistemin komjuterik të doganës.

Nuk do të jenë objekt i deklarimit të thjeshtuar dhe rastet kur një individ importon për nevoja personale apo familjare një produkt i cili kalon kufirin e vlerës së papërfillshme dhe ka peshë të konsiderueshme. Edhe këto raste do të jenë objekt i deklarimit me deklaratë standarte.

Në pikat e kalimit kufitar, punonjësit e doganës në çdo moment do të japin asistencë në rastet kur udhëtarët do të deklarojnë mallrat në bagazhin e tyre vlera e të cilave kalon kufijtë e vlerës sipas përcaktimeve në pikën 2 të këtij udhëzimi. Për këtë qëllim në çdo pikë (zyrë) doganore kufitare krahas informimit publik me njohjen e legjislacionit doganor do të vihet në dispozicion një kompjuter ku do të kryhet deklarimi i thjeshtuar nga udhëtari me asistencën e punonjësit doganor.

Udhëtari, pasi të jetë njohur me shumën e detyrimeve, me asistencën e punonjësit të doganës bën depozitimin e deklarimit të thjeshtuar në sistemin kompjuterik. Punonjësi i doganës regjistron dhe printon deklaratën e thjeshtuar në tre kopje, firmos dhe vulos atë dhe një kopje të saj së bashku me mallrat kundrejt arkëtimit ia dorëzon personit. Kjo deklaratë përfaqëson mandatin e arkëtimit për shumën e llogaritur dhe të mbajtur. Një kopje të deklaratës së thjeshtuar së bashku me dokumentat e paraqitura nga deklaruesi (faturë/kupon për vlerën e mallrave, kopje e dokumentit të identifikimit) bëhen pjesë e praktikës doganore të deklaratës iND 4. Në përfundim të orarit zyrtar të punës punonjësi i doganës i autorizuar për asistencën në deklarimin e thjeshtuar dhe mbledhjen e detyrimeve depoziton pranë zyrës së financës kopjen e tretë të deklaratës së thjeshtuar si dhe arkëton shumën e mbledhur.

Në orën 08°° të çdo dite pune sistemi për të gjitha deklarimet e thjeshtuara të regjistruara në një degë doganore (nga ora 08 e 1 minutë e ditës para-ardhëse deri në orën 08°° të asaj dite) gjeneron automatikisht deklaratën doganore (DAV) iND 4 ku për çdo deklaratë të thjeshtuar të regjistruar është krijuar një “bis” në këtë deklaratë. Më pas, për këtë deklaratë doganore kryhen të gjitha veprimet sipas përcaktimeve në udhëzimin nr. 01, datë 14.01.2011 “Mbi procedurën e përpunimit të deklaratës doganore (DAV) në sistemin Asycuda world”. Një kopje e deklaratës e printuar dhe e vulosur do të depozitohet pranë zyrës së financës.

Zyra e financës e degës doganore pasi verifikon shumën e detyrimeve të arkëtuara për deklarimet e thjeshtuara me shumën e detyrimeve në deklaratën doganore përkatëse IND 4, kryen derdhjen për çdo ditë në një nga bankat e nivelit të dytë në llogarinë e të ardhurave kryesore të administratës doganore duke specifikuar për çdo rast numrin dhe datën e deklaratës doganore për të cilën kryhet kjo derdhje. Dokumenti i lëshuar nga banka (mandati) së bashku me të gjithë deklaratat e thjeshtuara përkatëse do të jetë pjesë e dokumentacionit shoqërues të deklaratës IND 4, të cilat ruhen në arkivën e degës doganore sipas legjislacionit në fuqi.

Deklarimi i thjeshtuar nëpërmjet sistemit kompjuterik të doganës do të përdoret vetëm për mallrat personale të natyrës jo-tregtare, të cilat kanë detyrime doganore për të paguar.

Burimi: Revista Monitor