VIDEO/Njihuni me Martirjon, i riu që la emigrimin dhe hapi fermë në Divjakë

7

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural solli sot një tjetër shembull suksesi në bujqësi.

Martirjo Peqini, 28 vjeç, vendosi të kthehej nga emigrimi dhe të vazhdonte të punonte me prindërit e tij për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, në fshatin Sopëz (Divjakë).

Në sajë të bashkëpunimit me kompaninë BioBes dhe me dëshirën për të rritur sasinë e prodhimit, Martirjo aplikoi në programin IPARD II, ku arriti të përfitojë traktorë dhe agregate të cilat i lehtësuan procesin e punës. Përmes këtyre makinerive ai rriti sipërfaqen e prodhimit.

Martirjo u përcolli gjithë të rinjve mesazhin që ta shohin bujqësinë si një mundësi shumë e mirë për punësimin dhe rritjen e të ardhurave të tyre.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2022, ofroi për 80 përfitues rreth 50 milionë lekë subvencionim për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike me 60 mijë lekë për ha, por jo më shumë se 1 000 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh.

Bimët mjekësore dhe aromatike janë një nga zërat e rëndësishëm të eksporteve shqiptare.

Vetëm gjatë vitit 2022 janë eksportuar bimë mjekësore aromatike me vlerë prej 55 milionë dollarë.