VIDEO/ Njihuni me opingbërësin krutan, xha Haxhiu: Me këtë zanat jetoj normalisht, ia kam trashëguar edhe djalit

9

Afro 60 vite vite punë mbi supe nuk e kanë kërrusur zanatçiun krutan, Haxhi Neziri. E gjejmë si çdo ditë në punishten e tij, duke riparuar këpucë, por pak kush e di se xha Haxhiu është dhe opingbërërs.

“Për herë të parë kam mësuar të bëj opinga që bëhen me gomat e makinës. Shiteshin nga 4-5 palë në ditë në kohën e diktaturës”.

Haxhi Neziri, na tregon se mësoi të bënte opinga, me gomat e vjetra të makinave, në moshën 18-vjecare dhe deri në vitet ’90 punoi në ndërmarrjen artizanale. Me rënien e diktaturës, hapi dyqanin e tij në lagjen e vjetër “Abaze” të Krujës.

“Këto opinga rrojnë 1 deri në 2 vite. Kur ndërroi sistemi bleva një dyqan timin, ku punoj dhe sot”

Opingat, të llojeve horari dhe vaketi, që përdoreshin nga çobanët në male dhe punëtorët e guroreve. Ai nuk nguron të na tregojë proçeset e punës që nga prerja e gomave, të cilat i riciklon e deri tek qepja e e tyre.

“Do të presim gomonën e gozhdoj me thumba, më duhen 8 orë për ta qepur”, tha ai.

Sot Haxhi Neziri riparon këpucë, ndërsa opingat kërkohen shumë rrallë, madje thotë se palën e fundit e ka shitur para 1 viti.

“Kishin qejf turistët për të parë punën tonë dhe na kanë blere dhe opinga, por rrallë, palën e fundit e kam shitur para një viti. Tani merrem vetem me riparime”

77-vjeçari mban familjen me këtë zanat, të cilin ia ka trashëguar dhe të birit.

“Kam tre fëmijë, djalit ia kam mësuar zanatin, tani punon në fasoneri, kur të ngelem unë, do më zëvendësojë djali se dyqanin e kam timin. Ky zanat rehat nuk të bën rehat, por pa bukë nuk të le, mban shtëpinë, jeton normalisht”./ Report TV