VIDEO/ Shëngjergj, pamje përrallore nga liqeni i ngrirë i Bizës

132

Vetëm 1 orë nga Tirana, mes një peizazhi mbresëlënës me ngjyrat më të bukura të dimrit, ndodhet Shëngjergji, një nga bukuritë më impresionuese të Malësisë së Tiranës.

Klodian Hajdari ka publikuar një video me pamje nga liqeni i Bizës i ngrirë për shkak të temperaturave të ulëta. Liqeni piktoresk i Bizës në Shëngjergj ka ngrirë në sipërfaqe dhe ofron një pamje spektakolare. Në video shihet një person teksa pedalon me biçikletë mbi këtë liqen të ngrirë.

Nga Tirana deri në fshatin Shëngjergj rruga është e gjitha e asfaltuar dhe për afro 30 km gjarpëron mes disa bukurive pikante të peizazhit, që normalisht duhet të përshkosh qindra kilometra në Shqipëri për t’i zbuluar e shijuar.

Për të mbërritur deri në fshat, përveç udhëtimit me makinë private, bashkia e Tiranës ka mundësuar edhe transportin e rregullt publik.

Pasi lë pas bukuritë mahnitëse të Malit të Dajtit, përpara nisin të shfaqen male, pyje, përrenj, të cilët e bëjnë gjithnjë e më të freskët udhëtimin.

Malësia e Tiranës paraqet shumë karakteristika, me mundësi të shkëlqyera për turizmin malor. E në këtë sens Shëngjergji duket se është kërthiza e kësaj joshje turistike. Distanca e afërt nga Tirana i jep avantazh që të sigurojë prurje vizitorësh.