Hyn në fuqi urdhri: Karta e studentit, shërbimet me 50-70 për qind zbritje

46

Nëpërmjet kartës së studentit, përfituesit do të kenë akses në shërbimet me çmime të reduktuara në masën 50 apo edhe 70 për qind, në fushën e institucioneve të artit dhe kulturës e në muze publikë, parqe kombëtare arkeologjike dhe monumentet e kulturës. Ditën e djeshme ka hyrë në fuqi urdhri i përbashkët i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe Ministrisë së Kulturës “Për përcaktimin e shërbimeve të ofruara me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit në fushën e artit dhe kulturës”. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot urdhrin e përbashkët të dy ministrive si dhe tabelat e plota ku pasqyrohen institucionet në të cilat studentët do të përfitojnë zbritjet.

Zbritjet për studentët

“Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe pikës 2, të vendimit nr. 226, datë 17.4.2019 të Këshillit të Ministrave “Për kategoritë e shërbimeve të ofruara nga entet shtetëror edhe subjekte të tjera, të cilat përfitohen me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit”, urdhërojmë: Përfituesit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara në masën pesëdhjetë për qind (50%), në sistemin tarifor për aksesin në fushën e institucioneve të artit dhe kulturës sipas lidhjes nr. 1, bashkëlidhur këtij urdhri”,-thuhet në urdhrin e ministrive.
Në këtë të fundit më tej bëhet me dije se përfituesit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara në masën 70 për qind në sistemin tarifor për aksesin në muze publikë në varësi të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, parqet kombëtare arkeologjike dhe monumentet e kulturës.

Ndërkohë shërbimet e ofruara nga institucionet e trashëgimisë kulturore për aksesin në muze publikë në varësi të Ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, parqet kombëtare arkeologjike dhe monumentet e kulturës, për studentët të organizuar në ekspedita mësimore dhe leksione të hapura, janë me tarifë zero. Një tarifë zero do të aplikohet edhe për shërbimet e ofruara në kuadër të edukimit artistik përmes artit, kulturës dhe turizmit kulturor në skena dhe ambiente të hapura, nga institucionet e artit dhe trashëgimisë kulturore. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Kulturës. “Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Drejtoria e Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Ministrinë e Kulturës dhe institucionet publike të artit dhe kulturës. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”,-bëhet me dije në urdhrin e përbashkët.

Përfitimet jashtë vendit

Mbajtësit e kartës së studentit, do të përfitojnë të gjitha shërbimet e ofruara sipas përcaktimeve të këtij vendimi, nëpërmjet paraqitjes së kartës së studentit si dokument unik. Shërbimet e ofruara sipas përcaktimeve të këtij vendimi do të bëhen publike nga të gjitha institucionet qendrore dhe vendore, si dhe nga subjektet publike dhe private në faqet e tyre zyrtare, ndërsa ministria përgjegjëse për arsimin do të publikojë të gjitha shërbimet e siguruara me çmime të reduktuara për mbajtësit e kartës së studentit. “Karta e studentit mund të bëhet pjesë e projekteve ndërkombëtare, përmes marrëveshjeve që lidhen nga ministria përgjegjëse për arsimin. Kjo pjesëmarrje mundëson që shërbimet e ofruara nga këto projekte të përfitohen nga të gjithë mbajtësit e kartës së studentit në shtetet anëtare të projektit apo marrëveshjeve ndërkombëtare. Efektet financiare të pjesëmarrjes në projektet ndërkombëtarë, përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin”,-theksohet në projektvendimin e Këshillit të Ministrave.

Lista e kategorive të shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore

Shërbime në fushën e kulturës
†hyrje në biblioteka, muze, galeri arti, parqe arkeologjike dhe monumente të kulturës,
†hyrje në teatër dhe shfaqje artistike
Shërbime në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale:
†Shërbime shëndetësore pjesë e listës së barnave të rimbursueshme, të paketave të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe të kujdesit spitalor që mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor;
†Përjashtim dhe reduktim nga pagesat e drejtpërdrejta, për alternativat e para të barnave të listës së barnave të rimbursueshme,
†Sigurim shëndetësor,
†Regjistrim në çerdhe dhe kopshte për fëmijët e studentëve apo Strehim social.
Shërbime në fushën e arsimit, sportit dhe rinisë
†studentët do të përfitojnë hyrje në stadiume, pallate sporti, palestra dhe aktivitete sportive.
Shërbime në fushën e transportit
†transporti publik i të gjitha llojeve, përfshirë dhe transportin ajror,
†kurse dhe lëshim patentash dhe dokumentesh të tjera të ngjashme.
*Studentët do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera që kanë objekt të tyre interesa studentore, si dhe nga persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të lidhura konform përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.

Zbritjet për studentët:

Shfaqje me çmime të reduktuara në masën pesëdhjetë për qind (50%) në sistemin tarifor të biletave në institucionet të artit si vijon:
a) Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor;
b) Teatri Kombëtar;
c) Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”;
d) Cirku Kombëtar;
e) Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmije dhe Teatri i Kukullave.
*Fotokopje dhe skanime në masën pesëdhjetë për qind (50%) të tarifave të miratuara në Bibliotekën Kombëtare.
*Temat studimore, në masën pesëdhjetë për qind (50%) të tarifave të miratuara në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Vizita me çmime të reduktuara në masën shtatëdhjetë për qind (70%) në sistemin tarifor të biletave në muze publikë, parqet kombëtare arkeologjike dhe monumentet e kulturës si vijon:
a) Muzeu Historik Kombëtar;
b) Galeria Kombëtare e Arteve;
c) Qendra Muzeore Krujë – “Muzeu Kombëtar Skënderbeu, Muzeu Etnografik Krujë”;
d) Qendra Muzeore Berat – “Muzeu i Ikonografisë Onufri, Muzeu Etnografik Berat”;
e) Qendra Muzeore Durrës – “Muzeu Kombëtar Arkeologjik, Parku Arkeologjik”;
f) Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar Korçë, Muzeu Arkeologjik, Korçë, Muzeu i Arsimit, Korçë;
g) Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”;
h) Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër;
i) Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, Vlorë;
j) Parku Kombëtar Arkeologjik, Apoloni;
k) Parku Kombëtar Arkeologjik, Bylis;
l) Parku Kombëtar i Butrintit;
m) Parku Kombëtar Arkeologjik , Kalaja Shkodër;
n) Parku Kombëtar Arkeologjik, Amantia;
o) Parku Kombëtar Arkeologjik, Orikum;
p) Parku Kombëtar Arkeologjik, Finiq;
q) Parku Kombëtar Arkeologjik, Antigone;
r) Kalaja Berat;
s) Kalaja Gjirokastër;
t) Kalaja Lezhë;
u) Kala Porto-Palermo;
v) Kalaja e Kaninës;
ë) Kalaja e Himarës;
x) Manastiri i 40 Shenjtorëve;
y) Manastiri i Mesopotamit.