‘Videot për Ksamilin shihen nga 60 milionë njerëz’/ TikTok nxit turistët të vizitojnë Shqipërinë

47

Pamja magjepse e plazheve dhe ushqimet e lira i ftojnë turistët drejt një destinacioni të ri, Shqipërinë. Kështu shkruan e përditshmja britanike “The Times” për Shqipërinë

Shqipëria po konkurron me Greqinë dhe Kroacinë tani që turizmi po ringjallet pas pandemisë. Kërkesa është aq e lartë, saqë kompanitë ajrore po rrisin shpeshtësinë e fluturimeve, operatorët e udhëtimeve dhe turizmit po prezantojnë ture të reja, kurse grupet më të mëdha hoteliere po njoftojnë vazhdimisht hapjen e hoteleve të tyre të reja në vend.

Videot e publikuara në rrjetin social “TikTok” shfaqin pamje të Ksamilit, një resort plazhesh me ujëra të kaltra dhe këto video janë shikuar më shumë se 60 milionë herë.

“Skyscanner”, platforma më e madhe e rezervimit të fluturimeve në botë, tha se rezervimet nga viti i kaluar për në Shqipëri janë rritur 96 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës, viti i fundit i udhëtimeve para pandemisë.

Kompania ajrore “EasyJet” kishte planifikuar të niste fluturime direkte tre herë në javë nga aeroporti i “Gatwick” për në Tiranë, kryeqyteti i vendit, që në maj të vitit 2020, por kjo u vonua për shkak të pandemisë. Linja ajrore tani kryen fluturime direkte gjashtë herë në javë.

Të gjitha linjat ajrore kanë rritur numrin e tyre të fluturimeve drejt Shqipërisë. Në korrik 2019, 76 fluturime, me 14,000 pasagjerë, u kryen nga Britania e Madhe për në Shqipëri, sipas “Cirium”, një kompani analitike fluturimi. Ky numër u rrit në 207 muajin e kaluar, me 39,600 pasagjerë.

“Original Travel” shet paketa udhëtimesh turistike në këtë vend prej dy vjetësh dhe parashikon një bum të fortë turistik.

Gjatë muajve të fundit, “ToursByLocals”, që operon në të gjitha vendet e Europës, ka konstatuar një rritje të ndjeshme në rezervimet e udhëtimeve nga ana britanikëve gjatë kohës që po kalonin udhëtimet në këtë vend. Kompania ka shtuar në itineraret e saj një udhëtim për në qytetin e Korçës, si edhe një udhëtim shumë-ditor në Rivierën Shqiptare , që nis nga plazhet e Durresit, për të vijuar në qytetin e Vlorës, në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe në parkun arkeologjik të Butrintit, që është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.

Një tjetër faktor nxitës i kërkesës, veçanërisht në kushtet kur çmimet e pushimeve do të rriten vitin e ardhshëm, janë çmimet e ulëta të Shqipërisë.

Çmimet e biletave të kompanisë “EasyJet” për fluturimet mes Gatwick dhe Tiranës nisin nga 34.99 euro në muajin tetor. Kompania “Wizzair” është gjithashtu e pranishme atje. Kompania “Albawings” ofron çmime biletash që nisin nga 50.99 euro nga Stanstedi, ndërsa kompania “British Airways” kryen fluturime direkte drejt Tiranës për 60 stërlina. Të gjithë këto çmime janë vetëm një drejtim. Plazhi i Durresit ëshët vetëm 45 minuta larg me makinë nga Tirana, dhe gati pesë orë deri në Sarandë, që është skaji jugor i Rivierës Shqiptare.

Kompanitë turistike shprehen se edhe pushimet luksoze në Shqipëri nuk janë shumë të shtrenjta. Në veri të Sarandës, “Illyrian Boutique Hotel”, kushton 415 stërlina për shtatë netë në Booking.com. Për 876 stërlina në javë, pushuesit mund të qëndrojnë në dhomat e bardha të “Yacht Hotel”, në qytetin tërheqës bregdetar të Vlorës, me shëtitoren e saj të veshur me palma.

Ushqimi përqendrohet kryesisht rreth produkteve të detit dhe sërish më shumë produkte deti.  Liqeni i Butrintit është një burim kryesor i midhjeve. Pica është kudo, së bashku me makaronat, falë traditës së Italisë fqinje. Shijet greke dhe ballkanike janë gjithashtu të njohura. Karbohidratet janë një ide e mirë pasi shqiptarëve u pëlqejnë pijet e forta. Turistëve u sugjeromë të kërkojnë raki, pije tradicionale alkoolike, por të sigurohen që të mos e teprojnë me të.