FOTOT/ Laguna e Patokut, mrekullia që duhet vizituar (Vetëm 1 orë nga Tirana)

53

Gjatë bregut shqiptar të Adriatikut, Kompleksi Ligatinor i Patokut përfaqëson një nga bukuritë natyrore më interesante të këtij bregu.

I ndodhur ndërmjet Lumit Mat në Veri dhe Lumit Ishëm në Jug, ky kompleks përfshin një llojshmëri të lartë habitatesh : laguna e brendshme dhe e jashtme (480 ha), pylli (200ha), tokat bujqësore (450ha) dhe blegtorale (150ha).

Falë pozicionimit vetëm 57 km larg Tiranës, Laguna është lehtësisht e arritshme me makinë e në të mund të kalosh një fundjavë ideale mes qetësisë e kartolinave natyrore. Peizazhin e zbukurojnë akoma më tepër kasollet e vogla prej druri të ndërtuara mbi lagunë, të cilat së largu të krijojnë ndjesinë sikur po vrojton bungalou-t e famshme të ishujve të Paqësorit. Në këto kasolle prej druri ju do mund të shijoni gatimin tradicional e të shijshëm të restoranteve të Patokut.

Mbi 358 specie bimësh të larta e deri në 179 lloje shpendësh popullojnë të gjithë zonën, duke e kthyer në një parajsë të vërtetë për të apasionuarit mbas biodiversitetit. Flora dhe fauna e Lagunës së Patokut tërheqin përvit me mijëra vizitorë, të cilët përmes shëtitjeve me varkë në Lagunën e qetë, kanë mundësinë të kundrojnë nga afër një pasuri të vërtetë natyrore.