Në të gjithë botën është i njohur fakti që paraja është domen i burrave. Ata e kanë më të lehtë të bëjnë biznes dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët të aleancave mes tyre. Kjo bën që për një grua që do të tentojë rrugën e sipërmarjes gjërat të vështirësohen. Ky realitet është vecanërisht i hidhur në shoqëri patriarkale, si ajo shqiptare. Sfidat bëhen edhe më të mëdha përballë një konkurrence, që sot nuk është më lokale, por rajonale dhe globale.
Kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare me asistencën e UN Women ka hartuar programin “Mbështetje për Zhvillimin Ekonomik”, i cili synon rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë në tregun rajonal nëpërmjet dhënies së fondeve grant. Një program që ka ndihmuar gratë shqiptare t’ia dalin mbanë në biznes, duke i siguruar fondet e nevojshme për të zhvilluar aktivitetin e tyre privat. Numri i grave që kanë përfituar nga ky program ka ardhur në rritje në 5 vitet e fundit në të katër komponentët (skemat) e programit që kanë të bëjnë me konkurrueshmërinë, start-up, ekonominë kreative/artizanatin dhe inovacionin.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, nga skema e parë “Konkurrueshmëria”, 20% e buxhetit të dhënë në vitin 2018 është përfituar nga biznese që zotërohen nga gra. Përqindja e grave përfituese të fondeve ka ardhur në rritje gjatë viteve në vijim, duke arritur në 22% të buxhetit total të skemës në vitin 2019; në 25% në vitin 2020 dhe 30% në vitin 2021.
Edhe fondet e akorduara për to në kuadër të skemës së Konkurrueshmërisë kanë ardhur në rritje. Të dhënat tregojnë se nga 18 milionë lekë grante në vitin 2018, shuma është rritur në 28 milionë lekë në vitet pasuese për gratë që zotërojnë biznese (tabela më poshtë).
Ecuria ka qenë edhe më pozitive në skemën e dytë të programit që ka të bëjë me Start-up. Në vitin 2018, 50% e totalit të buxhetit dedikuar kësaj skeme është përfituar nga gratë për të nisur një aktivitet dhe për të financuar idenë e tyre të biznesit. Kjo përqindje është rritur ndjeshëm në vitet pasuese, duke arritur në 55% të buxhetit në vitin 2019, në 60% në vitin 2020 dhe në nivelin 65% në vitin 2021.
Numri i start-up të zotëruara nga gratë dhe të financuara nga kjo skemë gjithashtu ka ardhur në rritje, nga 14 subjekte Start Up te subvencionuara në vitin 2018 në 20 të tilla në vitet pasuese. Rritje ka pësuar edhe shuma e financimit, nga 7 milionë lekë në vitin 2018 në 10 milionë lekë në vitet në vijim (tabela më poshtë).
Numri i grave në biznes që kanë përfituar fonde është rritur ndjeshëm në komponentin e tretë të programit të ndihmës dhe që ka të bëjë me “Ekonominë kreative/artizanatin”. Të dhënat tregojnë se 90% e buxhetit të kësaj skeme në vitin 2018 është përfituar nga gratë, një peshë që ka ardhur duke u rritur në 92% në vitin 2019, në 94% në vitin 2020 dhe 95% në vitin 2021.
Edhe numri i bizneseve të subvencionuara që zotërohen nga gratë është rritur ndjeshëm, duke u dyfishuar nga 10 të tilla në vitin 2018 në 20 subjekte në vitet pasuese. Dyfishim ka pësuar edhe kosto e dhënë për to, nga 5 milionë lekë në vitin 2018 në 10 milionë lekë në vitet pasuese. (tabela më poshtë).
Gratë kanë rezultuar të suksesshme me bizneset e tyre edhe në fushën e inovacionit. Ky është edhe komponenti i katërt i programit “Mbështetje për Zhvillimin Ekonomik”. Nga të dhënat e Ministrisë së Financave rezulton se në vitin 2018, 40% e buxhetit vënë në dispozicion të kësaj skeme është përfituar nga biznese që zotërohen nga gra. Kjo peshë ka ardhur duke u rritur në vitet pasuese dhe konkretisht në 43% të totalit të buxhetit në vitin 2019, në 50% në vitin 2020 dhe 55% në vitin 2021. Janë rreth 25 biznese të subvencionuara cdo vit që zotërohen nga gratë dhe që kanë të bëjnë me inovacionin, teksa edhe shumat e akorduara për to janë rritur ndjeshëm, nga 5 milionë lekë në vitin 2018 në 15 milionë lekë në vitet pasuese (tabela më poshtë).
businessmag.al & fastnewseconomy.com