Çmimi Kadare 2023, 10-mijë euro për fituesin

19

Me mbledhjen e jurisë mori jetë zyrtarisht edhe konkursi për edicionin e tetë të Çmimit Letrar “Kadare”. Natasha Lako, Alfred Peza, gazetari  nga Shkupi Nazim Rashidi, Ermir Nika dhe Irena Myzeqari do të përzgjedhin veprën më të mirë në prozë për 2023. Fituesi do të shpallet në fund të muajit shkurt dhe  do t’i akordohet 10 mijë euro, ndërsa vepra do të botohet e promovohet nga UET PRESS.
Aplikimet për këtë edicion janë të hapura deri më 17 janar të vitit 2023, ku autorët e interesuar mund të dërgojnë 15 faqet e para të veprës në dorëshkrim dhe një përmbledhje të shkurtër të saj.

Juria do të përzgjedhë mes garuesve dhjetë më të mirët, që do të jenë edhe pretendentët për çmimin e madh. Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, pritet që këtë vit interesi të jetë i madh.
Edicionin e kaluar, fituese u shpall shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin e saj “Pusulla të Verdha”. Në fjalën përshëndetëse gjatë akordimit të Çmimit, ajo zbuloi se kishte konkurruar tri herë me tri vepra të ndryshme, derisa u shpall autorja fituese për 2022-shin. Shkrimtarja, e cila është shquar veçanërisht për librat me kujtime si “Vila me Dy Porta”, solli një roman mbi plagët e tranzicionit dhe njerëzit me aftësi ndryshe.

Të tjerë fitues të shquar të Çmimit Kadare kanë qenë Gani Mehmetaj dhe Musa Ramadani, nga Kosova, Rudolf Marku, Virgjil Muçi, Shkëlqim Çela e Loer Kume. Përgjatë viteve, në këtë konkurs kanë garuar edhe emra të tjerë të njohur si poetja Mimoza Ahmeti, shkrimtarët Zija Çela e Bardhyl Londo, publicisti Mustafa Nano, poeti Primo Shllaku, Ylljet Aliçka, Gazmend Krasniqi e shumë të tjerë.

Ky çmim, i cili mori edhe bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare, për të mbajtur emrin e tij, u ngrit si një projekt për promovimin e letërsisë shqipe e që të krijonte një traditë të gjatë. Po ashtu synimi i këtij çmimi është edhe nxitja e kritikës shqip. Po ashtu, gjatë tetë edicioneve është ruajtur edhe tradita e konkurrimit të veprave në prozë letrare, për t’i qëndruar besnik edhe emërtimit, në nder të shkrimtarit të madh shqiptar, i cili njihet në radhë të parë si romancier.

businessmag.al