FOTO/ Punimet në Orikum-Dukat, “gjerdani” infrastrukturor në jug të vendit

15

Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e turizmit.

Me përfundimin e plotë të punimeve për bajpasin e Vlorës, ndërtimin e aksit Orikum-Dukat dhe tunelit të Llogorasë, plotësohet i gjithë gjerdani infrastrukturor, i cili nis nga bajpasi i Fierit dhe përfundon në dalje të tunelit të Llogorasë, për t’u lidhur më tej me segmentin rrugor Palasë-Dhërmi, për të ndërtimin e të cilit punimet kanë nisur disa muaj më parë.

Aktualisht, punimet në aksin Orikum-Dukat kanë arritur në 24% të volumit të tyre ndërsa po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e veprave të artit. I gjithë segmenti ka një gjatësi prej 14.7 kilometra, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe mirëmbajtja e aksit për 10 vitet e ardhshme pas vendosjes së në funksion.

Në projektin e këtij aksi janë parashikuar edhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat, përmes ngritjes së mureve mbajtës dhe pritës.