FOTO/ Shtëpia muze e Sterjo Spasses, një atraksion i ri turistik e kulturor për zonën

60

Shtëpia muze e Sterjo Spasses iu nënshtrua një procesi restaurimi dhe po kthehet në një atraksion kulturor. Më herët është bërë me dije se pas këtij procesi, në muze do të ekspozohen jo vetëm dorëshkrime origjinale të shkrimtarit, por edhe objekte tradicionale të zonës.

Veprimtaria letrare e shkrimtarit Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit.

Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi në vitin 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra”, me nëntë vëllime.

Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”. Si një bashkëpunim ndërkufitar, mes Bashkisë Pustec, Bashkisë së Bitolës, me ndihmën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, dhe me financim nga Bashkimi Europian nisi më parë puna për restaurimin e shtëpisë muze të shkrimtarit Sterjo Spasse.