Hidrocentrali i Vaut të Dejës i nënshtrohet rikonstruksionit të thellë (FOTO)

69

Hidrocentrali i Vaut të Dejës një prej veprave më të rëndësishme të sistemit energjitik shqiptar po i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë me qëllim optimizimin e prodhimit.

Koorporata Elektroenergjitike njoftoi sot se në këtë HEC po vijon procesi i rinovimit teknologjik të kushinetës mbështetëse të agregatit 5, ku është kryer me sukses transporti i rotorit 235 tonë për tu vendosur tek gjeneratori.

Sipas KESH-t, janë instaluar pajisjet e reja, segmentet, disku si dhe sistemi i ri i lubrifikimit me impiant injektimi me presion të lartë gjatë nisjes së rrotullimit të turbinës e impianti online i qarkullimit të vajit.

“Ky investim kryhet për herë të parë që nga vënia në funksion e HEC-t të Vaut të Dejës. Puna do të vijojë me rinovimin teknologjik të 5 agregatëve në këtë HEC”, bën të ditur KESH.

Hidrocentrali i Vaut të Dejës ngrihet në pjesën e poshtme të lumit Drin, para se të bashkohet me lumin e Bunës, 18 km nga qyteti i Shkodrës. Punimet për Hec Vau i Dejës filluan në janar të vitit 1967.

Vëllimi i ujit në liqen është 580 milion m3, sipërfaqja e liqenit 25 km2 dhe prurja maksimale e lumit është llogaritur 10 mijë m3 në sek (një herë në 10 mijë vjet) nga e cila rreth 7 mijë m3 në sek mund të shkarkohen nga diga e Rragamit.

Aftësia e prodhimit të energjisë është rreth një miliard kilovat/orë dhe fuqi 250 mijë kilovat, me turbina nga 50 mijë kilovat secili. Inaugurimi i veprës u bë në nëntor të viti 1971.