Kampionati Botëtor 2030 mund të luhet në Ballkan!

91

Ishte folur shpesh për këtë plan të guximshëm, por vetëm mbrëmjen e së premtes u krye hapi vendimtar. Greqia bashkë me Serbinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, kanë vendosur së bashku të garojnë për organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2030.

Këtë vullnet të përbashkët kanë shprehur në takimin e tyre në Beograd, ministrat e Atletikës dhe Sporteve të katër vendeve, duke kërkuar shansin që të provojnë se Ballkani ndryshon dhe kërkon të bëhet nga një protagonist negativ, në një kampion që do rrezatojë tashmë vetëm pozitivitet dhe frymën e bashkëpunimit.

Megjithëse pretendimi për organizimin e një Botërori vlerësohet tepër i vështirë dhe kompetitiv, ministrat e 4 vendeve kanë rënë dakord se bëhet fjalë për një mundësi të mrekullueshme që shkon përtej sportit.

Një çështje simbolike që do tregojë dhe vërtetojë se në Ballkan mund të punohet bashkë me fqinjin, duke e ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke siguruar një të ardhme më të mirë për këtë rajon.

Ministri grek i është referuar edhe eksperiencës së Greqisë në organizimin e Olimpiadës, duke theksuar se duhen korrigjuar shumë gabime. Ai ka deklaruar gjithashtu se homologët e tij ballkanas i kanë bërë thirrje edhe Greqisë të marrë pjesë në organizimin e kampionatit europian të volejbollit, që do zhvillohet në Rumani, Bullgari dhe Serbi, në vitin 2021.

Në takimin e katër ministrave është rënë dakord si hap i parë të bëhet një inventar i detajuar i nevojave të secilit vend për sa u përket stadiumeve , fushave stërvitore dhe infrastrukturës së atletikës, dhe është lënë një diskutim i dytë pas një muaji ku do të përcaktohen hapat e ardhshëm.