Përmeti paraqet një pikë të rëndësishme turistike të vendit tonë, për shkak të potencialeve që mbart, elementëve të trashëgimisë kulturore, promovimit të produkteve tipike lokale agroushqimore dhe artizanale, si dhe atraksioneve të shumta natyrore që bën bashkë turistë nga i gjithë vendi e bota.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton punimet për ndërhyrjen “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turistik” në Bashkinë Përmet, me popullsi përfituese rreth 50.000 banorë ku përfshihen projekt investimet si më poshtë:
Rigjenerimi i Lagjes së Vjetër Historike që synon trajtimin dhe nxjerrjen në pah të elementëve historikë dhe tradicional të qytetit të Përmetit, dhe forcimin e lidhjeve mes modernes dhe lagjes historike. Përmes kësaj ndërhyrjeje do të mundësohet përmirësimi pamor i akseseve kryesore për në lagjen e vjetër historike, rizhvillimi i tri shesheve, sinjalistika, ndriçimi publik dhe mobilimi urban. Ndërhyrjet e parashikuara si më poshtë vijojnë për:
- heqjen dhe rivendosjen e kalldrëmave ekzistues me të njëjtat materiale, model shtrimi dhe teknikë ndërtimi;
- heqjen e shtesave, siç janë rrethimet dhe portat me materiale të papërshtatshme (të tilla si mbetje industriale) dhe plotësimi i këtyre hapësirave me materiale të përshtatshme sipas teknikës së ndërtimit të përdorur në lagjen e vjetër historike;
- pajisja sipas nevojës me sistem të ri ujësjellës dhe kanalizime përgjatë rrugicave duke përfshirë edhe lidhjet me ndërtesat ekzistuese;
- heqjen dhe rivendosjen në kanale nëntokësore e kabllove ajrore ekzistuese përgjatë rrugicave me kalldrëm duke përfshirë lidhjen me ndërtesat ekzistuese;
- vendosjen e sistemit të ri të ndriçimit me ndriçuesa të përshtatshëm në mënyrë që të evidentohen ndërtesat specifike/ monumentet dhe të përmirësohet në përgjithësi aksesi pamor dhe aksesi fizik i zonës;
- rizhvillimin e tri shesheve, duke përdorur si material shtrimi të njëjtin material që kanë hapësirat publike ekzistuese të lëna pas dore;
- sistemi i çezmave antike – i përbërë nga 3 çezma (vetëm njëra është ekzistuese në ditët e sotme) e cila ndodhet përgjatë rrugicave me kalldrëm të lagjes së vjetër historike – do të restaurohet;
- pajisja e zonës me mobilim urban dhe sinjalistikë informuese, duke përfshirë dhe një vendparkim specifik për personat me aftësi të kufizuara.
Këto ndërhyrje kanë për qëllim primar nxitjen në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e bizneseve të vogla (bed and breakfast, dyqane, etc.) në Lagjen e Vjetër Historike.
Nënvizojmë se, gjatë punimeve, do të merren masat e nevojshme për të lejuar akses të vazhdueshëm në ndërtesa.
Rehabilitimi i kanalit “Përroi i Bardhë” i cili synon të sigurojë përmirësimin mjedisor të kanalit, duke krijuar një hapësirë publike të gjelbër (park linear) në atë pjesë të qytetit dhe duke ribërë lidhjen midis dy pjesëve të lagjes së vjetër historike. Ndërhyrjet konsitojnë në:
- pastrimin e kanalit;
- krijimin i një zone mbrojtëse rreth kanalit, me hapësira të gjelbra dhe sistemime (park linear) duke përfshirë shtigje këmbësorësh, pemë, ndriçim publik dhe mobilim urban;
- rindërtimin e dy urave – si këmbësore dhe automobilistike – bazuar në kërkimet e modeleve origjinale ekzistuese dhe në konceptin e një strukture të lehtë;
- ndriçimin publik të dy urave dhe të kanalit.
Përmirësimi i sferës publike dhe hapësirave në qytetin modern
Projekti përfshin edhe një paketë ndërhyrjesh që synojnë lehtësimin në rastet e rritjes së numrit të turistëve, që do të thotë pajisjen me një zonë parkimi të re për turistët (udhëtarët e pavarur) me afërsisht 20 vende parkimi, duke përfshirë dhe një vendparkim për personat me aftësi të kufizuara. Në këtë drejtim do të realizohen ndërhyrjet e mëposhtme:
- pajisjen me elementë hijëzues (si pjesë e mobilimit urban), pemë, çezma, etj. në zonën këmbësore;
- realizimin e parqeve të vegjël (xhepa) afërsisht 2,000 m2 duke përdorur copëza toke të lëna pas dore përgjatë shtigjeve këmbësore;
- riorganizimin dhe përmirësimin e përdorimit të hapësirës së gjelbër si një muze i hapur dhe/ose qendër informuese për qytetin në zonën midis qendrës së vjetër kulturore dhe lumit;
- ri-profilizimin e seksionit të rrugës, duke rivendosur trotuaret dhe shtrimin në rrugët e përzgjedhura (rrugët kryesore që kalojnë në pjesën qendrore të qytetit modern, zgjatimi në jug i bulevardit, dhe rrugët lidhëse me zonën industriale) rreth 4000 m shtigje këmbësore të përmirësuara, për të përmirësuar lëvizshmërinë këmbësore dhe mënyrat alternative të përdorimit të rrugës, duke ofruar akses për të gjithë, duke përmirësuar lidhjet dhe kalimet këmbësore.
Sinjalistika turistike dhe tabelat informuese
- Sinjalistikë shtigjesh. Ato ofrojnë udhëzime në shtigjet që vizitorët duhet të ndjekin në mënyrë që të lëvizin sa më lehtë rreth zonës.
- Shërbime dhe lehtësira. Sinjalistika që japin udhëzime për objektet dhe shërbimet turistike si psh tualetet, ushqim dhe pije, qendrat informuese, etj.
- Hartat “Ju ndodheni këtu”. Këto harta janë thelbësore për orientim, duhet të vendosen në vende të planifikuara me kujdes, bazuar në harta të personalizuara me simbole ndërkombëtare, lehtësisht të lexueshme, lehtësisht të interpretueshme, duke përfshirë çdo gjurmë të përcaktuar që nga pika e nisjes dhe e mbërritjes, atraksionet kryesore, objektet dhe udhëzimet e sigurisë.
- Sinjalistika informuese. Ato u japin informacion vizitorëve për vendin ku ndodhen.
Ky projekt do të synojë ruajtjen e vlerave urbane dhe arkitektonike të strukturës së përgjithshme urbane, duke krijuar mundësi për zhvillimin e bizneseve të vogla në lagjen e vjetër historike dhe përmirësimin e tërheqjes turistike.