Këshilla/ Si të ndërtoni marrëdhënie më të fortë me fëmijët tuaj gjatë qëndrimit në shtëpi

29

Qëndrimi në shtëpi me siguri që do t’ju ndihmojë të njihni më shumë dhe më mirë fëmijët tuaj.

Për të ndërtuar një marrëdhënie edhe më të fortë sugjerohen disa këshilla për mënyrën sesi të kaloni sa më mirë kohën me fëmijët tuaj në shtëpi duke investuar qëllimshëm në ndërtimin e një marrëdhënie të fortë. Ndërtoni një rutinë të shëndetshme ditore bashkë me fëmijët.

Respektimi i rregullave të higjienës
Nxisni bindjen dhe zbatimin e rregullave të higjienës personale në këtë situatë duke dhënë ju i pari shembullin si prind. Në këtë mënyrë ndërtoni zakone të mira të higjienës personale dhe familjare.

Si ta bësh të këndshme kohën e detyrave në shtëpi
Ju e njihni më mirë fëmijën tuaj, çfarë i pëlqen apo nuk i pëlqen, çfarë ka dëshirë të bëjë apo ku e ka vështirësinë, ndaj trajtojeni këtë kohë për të qenë personi që mbështet dhe shton dashurinë dhe dëshirën për shkollën dhe mësimet. (P.sh prindi bëhet nxënësi dhe fëmija bëhet mësuesi, problemat trajtohen në formë loje, përdoren objekte konkrete shtëpiake për të shpjeguar koncepte abstraktë etj.).

Lojëra dhe argëtim së bashku në kushtet e shtëpisë
Në varësi të grupmoshës mund të bëhen lojëra të ndryshme. Gjithashtu japim udhëzimet për lojërat me fëmijët në qendër ku fëmija drejton lojën. Riciklim të objekteve/sendeve shtëpiake ose luani lojë dyqanesh; praktika për të bërë zbukurime për dhomën e tyre; luaj lojëra tavolinash, letra, monopoli, mos u nxeh, puzzle, shtet qytet personazh etj. Kaloni një mbrëmje me Monopolin si familje, në vend që të shikoni një film. Një kuti të madhe kartoni mund ta shndërroni në një teatër kukullash. Lexoni një shfaqje me zë të lartë me secilin anëtar të familjes duke marrë një rol të ndryshëm.

Gatuani së bashku
Eksperimentoni receta biskotash, ëmbëlsirash, byrek apo gatime të tjera bashkë me fëmijët. Përgatisni ushqimet së bashku, fëmijët e vegjël mund të shpëlajnë frutat ose të copëtojnë zarzavatet.

Vaktet e konsumuara së bashku rreth tavolinës si familje e bashkuar
Kjo është një mundësi shumë e mirë bisedash, humori, vlerësimi dhe mirënjohjeje për atë që e ka gatuar, si dhe shijimi i ushqimeve të preferuara. Mund të ndahen rolet për përgatitjen e vakteve, ku njëri shtron tavolinën, tjetri sjell pjatat, pra ku të gjithë ndjehen të vlefshëm dhe të vlerësuar.

Biseda

Shprehja e emocioneve, si mund të fillojmë një bisedë me
familjarët.

Leximi i librave apo tregimi i historive
Prindërit marrin kohë për t’i lexuar apo për të treguar histori familjare.

Përdorimi i teknologjisë në mënyrë të shëndetshme
Karaoke me fëmijët; luani në një instrument ose këndoni së bashku. Shikoni një film të preferuar dhe diskutoni mbi fabulën dhe mesazhet e filmit.

Aktivitete: Të sjellim pranverën në shtëpi
Mund të bëjmë ‘crafts’ me simbole të pranverës (lule, zogj, diell etj.), të shprehim falënderime përmes kartolinave, ese për pranverën etj.

Teknikat për të ndërtuar marrëdhënie më të fortë me fëmijët në kushtet e qëndrimit në shtëpi për shkak të COVID-19, janë sugjeruar nga organizata ndërkombëtare që operon edhe në Shqipëri “World Vision”.