Qytetarët që janë të interesuar për të marrë kredi të butë më norma interesi fikse, ku pjesën tjetër e paguan Bashkia e Tiranës, do të kenë afat për të aplikuar deri më 17 Maj. Këshilli Bashkiak u ka dhënë më shumë kohë të interesuarve, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, mosfunksioniomit me kohë të plotë të institucioneve dhe kufizimit të lëvizjeve. Në total do të përfitojnë 1 mijë familje.
Ndryshe nga programet e mëparshme, këtë herë qeveria ka përcaktuar 3 banka, ku qytetarët do të mund të zgjedhin secilën pej tyre. Përparësi në këtë program do të kenë çiftet e reja, ku të dy anëtarët e familjes nuk e kalojnë moshën 70-vjeç. Programi i subvencionimit të interesave të kredive është i dedikuar për familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi; individë/familje të minoritetit rom dhe egjiptian si dhe gra kryefamiljare ose gra të dhunuara.
Kontrata e kredisë që do të lidhe qytetari do të jetë me interes fiks për pjesën që i takon qytetarit deri në 3 %, ndërsa luhatjet mbi këtë normë interesi janë në ngarkim të buxhetit të shtetit. Të ardhurat e qytetarëve janë gjithashtu një kriter i rëndësishëm për të përcaktuar nëse do të jenë apo jo përfitues të këtij program. Ndërsa shuma e dhënë është në varësi të numrit të anëtarëve që ka një familje dhe hapsirës së banesës që i përshtatet. Aplikimet, të cilat kanë filluar më 15 Shkurt, bëhen pranë njësive bashkiake ku secili qytetar banon.