Liqenet akullnajore të Rrajcës, magjia e lartësive që befason turistët

463

Rrajca, një fshat në lartësitë e Librazhdit pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë, po kthehet çdo vit e më tepër një atraksion i fuqishëm turistik.

Janë Liqenet akullnajore të Rrajcës, pjesë e këtij Parku, që e bëjnë Rrajcën një nga destinacionet e veçanta turistike natyrore që mund të eksplorohen në çdo stinë.

Në korrik të vitit 2017 Pyjet e Rrajcës dhe Lumi i Gashit, u bënë pjesë e Trashëgimisë Natyrore të UNESKO-s.

Vet Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”,  mbetet një destinacion turistik i jashtëzakonshëm për t’u frekuentuar në katër stinët, por në veçanti në stinën e verës.

Rreth 10 mijë turistë, vendas dhe të huaj e kanë vizituar vitin e kaluar Parkun Kombëtar në Qarkun e Elbasanit.

Një pasuri turistike e pakonkurrueshme, që pret vizitorë të apasionuar pas aventurës, natyrës, traditës dhe histories që po shfrytëzohet çdo ditë.

Është një vend i thyer me kontraste të forta gjeografike, ku mund të gjesh që nga fushat e blerta, lumenj, shpella deri te lartësitë e maleve me borë.

Vetëm 19 km në perëndim të Librazhdit, është ky park nga më të mirëmbajturit në vendin tone.

Janë dy lumenj dhe disa burime të vogla ujore që rrjedhin përmes zonës së Parkut, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës qe bashkohet me lumin Shkumbin. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.

Pothuajse i panjohur për pjesën më të madhe të vendit, vitet e fundit, Parku Kombëtar i Shebenikut ka nisur të promovohet dhe të nxisë tërheqjen e turistëve.

Drejtoria e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Elbasan është kujdesur që të vendosë në të gjithë parkun tabela orientuese për vizitorët, por edhe të shoqërojë çdokënd që ka dëshirë të shijojë mrekullitë e tij.

Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.

Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga  shek. II para erës sonë, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës nëse doni të vizitoni Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.

Shumë i rëndësishëm fakti që ngjyrat në këto piktura nuk janë zhdukur dhe qëndrojnë ende të gjalla.

Do të gjeni në Shebenik liqenet karstike, liqenin e Fushë Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.

Moratoriumi i gjuetisë bëri që edhe kafshët e egra të shtohen për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.

Gjatë monitorimeve të saj me kamera kurth, Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura ka arritur të fotografojë një sërë kafshësh të egra si, derri i egër, ariu, kaprolli, ujku etj.

Shoqata të ndryshme që kanë në fokus aktivitet sportive kohët e fundit po i organizojnë ato në këtë park.

Gara të çiklizmit malor, alpinizëm apo ski e kanë bërë tashmë Shebenikun më të njohur dhe me siguri një nga destinacionet më tërheqëse të  turizmit të natyrës shqiptare. Stina e dimrit do të jet një tjetër atraksion për turistët e aventurës në këtë park.