Me shtyerjen e vlefshmërisë kartave të identitetit, vlen edhe si dokument udhëtimi

22

Shtyrja e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë do të vlejë edhe si dokument i vlefshëm udhëtimi në vendet fqinje.

Më 1 prill 2019, ka hyrë në fuqi ligji nr.11/2019 “Për një shtesë në ligjin nr.8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar.

Në nenin 1 të këtij ligji parashikohet se, afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë, të cilat janë lëshuar nga data 9.2.2009 deri në datën 31.12.2009 dhe që përfundon brenda vitit 2019, të zgjatet deri më 31.12.2019.

Shqipëria ka lidhur një sërë marrëveshjesh dypalëshe mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve shqiptarë, konkretisht me Republikën e Kosovës, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, në dispozitat e të cilave parashikohet si dokument udhëtimi i vlefshëm për qytetarët e Republikës së Shqipërisë edhe karta e identitetit biometrike.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar autoritetet e vendeve të sipërcituara për ligjin e mësipërm, me qëllim marrjen e masave në kufijtë përkatës.