Miratohet fondi për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut

0

Qeveria ka miratur fondin prej 57,5 milionë lekësh për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut.

Një lajm i mirë për trashëgiminë kulturore, për komunitetin dhe në veçanti për një objekt të rëndësishëm infrastrukturor dhe monumental siç është Ura e Matit apo siç njihet: Ura e Zogut.

“Në mbledhjen më të fundit të Qeverisë u miratua fondi prej 57,5 milionë lekësh, që mundëson zbatimin e projektit për ndërhyrjen emergjente në të këtë objekt, i cili pësoi dëmtime të rënda për shkak të reshjeve të disa muajve më parë.Ka qenë një proces intensiv pune, me shkëmbime idesh, punë në terren, çka nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të kushteve të vështira atmosferike” thuhet në njoftim.

Miratimi i projektit u parapri nga vendosja e pajisjeve monitoruese, për të mundësuar të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.

Në grupin e punës u bënë pjesë profesorët e nderuar Markel Baballëku, Neritan Shkodrani, Iralda Xhaferraj, Esmerald Filaj, Ervin Paçi, Rikard Luka, Altin Seranaj, Andrin Kërpaçi, Shkëlqim Daja.

Miratimi i këtij fondi, jo vetëm mundëson ndërhyrjen emergjente, por krijon kushtet për zgjidhjen përfundimtare të problematikës në Urën e Matit

Ura e Matit është inauguruar më 26 maj 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter.

Ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernët për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj dite nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën

/ata.gov.al