Media franceze: Shqipëria, një nga prodhueset më të vjetra të verës në Europë

137

Redaksia e së përjavshmes prestigjioze “Paris Match”, e intriguar nga një postim mbi verërat në Instagram, i ka kushtuar një artikull Shqipërisë mbi këtë temë.

“Kushte klimatike ideale, një tokë e pasur dhe varietete rrushi shumë të vjetra, po, është e vërtetë, Shqipëria është gjithashtu një vend prodhues verërash”, e nis redaksia artikullin.

Këtu keni një sërë arsyesh pse duhet të provoni përvojën e shijes së verërave shqiptare, nëse ju rastis të ndesheni me ndonjërën!

Shqipëria, një nga prodhueset më të vjetra të verës në Europë

E vinit në dyshim? Shqipëria mund të krenohet me një vreshtari gati 3000-vjeçare. Gjurmët më të lashta (800 p.e.s) na vijnë nga Iliria, rajoni aktual i Shkodrës, në veri të vendit.

Pas diktaturës komuniste dhe ndalimit të privatizimit të prodhimit të verës, pas uljes së konsumit të alkoolit të imponuar nga islamizimi i rajonit, shqiptarët gjetën recetat e së shkuarës dhe mënyrat stërgjyshore të veprimit, për të rimarrë veten.

Historia e vreshtarisë në këtë vend nuk ka shkuar vaj, deri në atë pikë, saqë “The Guardian” flet sot për një rilindje të saj!

Varietete rrushi endemike

Sheshi i Bardhë (rrush i bardhë)  dhe Sheshi i Zi (rrush i kuq), me origjinë nga fshati Shesh, janë më simboliket e vendit. Përkrah tyre, përmendet edhe rrushi i llojit Kallmet (i kuq) dhe Vlosh (i kuq dhe i trëndafiltë). Përmenden, gjithashtu, edhe pse më pak, varietetet Debin dhe Vranac.

Në total, ai përfaqëson rreth 75 % të furnizimit me verëra të ndryshme.

Ekzistojnë, gjithashtu, edhe varietete më tradicionale: Merlot, Cabernet, Pinot, Tokai. Këto janë katër rajonet që organizojnë kultivimin e hardhisë.

Tani për tani, vendi prodhon vetëm një milion shishe, çdo vit.

Pjesa më e madhe e konsumit vendas ende mbështetet nga importi masiv i verërave italiane.

Vreshta lehtësisht të arritshme

Shqipëria turistike është e njohur për bregdetin e saj të mrekullueshëm dhe klimën e përsosur të stinës së verës. Natyra, me burimet, liqenet, malet, luan gjithashtu një rol mjaft tërheqës.

Por, nëse planifikoni një udhëtim në vendin e flamurit me kokë shqiponje, synoni zona të ndryshme të vizitueshme: Kantinën e Verës “Arbëria”, Kantinën e Verës “Çobo” dhe Kantinën e Verës “Kokomani”. Një përvojë sa unike, aq edhe origjinale.

Nuk ka dyshim që do të priteni mirë, sepse edhe brenda kufijve të vendit, verës vendase nuk i bëhet një reklamim i mirë dhe vreshtarët nuk marrin një meritë apo çmim të denjë për këtë emër, përfundon ”Paris Match”.