Mrekullia shqiptare, lumi i Shalës tërheq mijëra vizitorë (FOTOT)

43

Lumi i Shalës i cilësuar nga vizitorët që e kanë parë nga afër si perla e bukurive të Komanit është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik si për turistët vendas e për ata të huaj.

Natyra e paeksploruar, lumi i kaltër dhe mundësitë e shumta të aventurave bëjnë që ky vend të jetë në listën e vendeve për të vizituar gjatë periudhës qershor-gusht.

Referuar të dhënave, fundjavën e kaluar lumi i Shalës pati afërisht 1 700 vizitorë, ndërsa për muajn qershor e kanë vizituar rreth 8 mijë vizitorë vendas e të huaj.

Për të shkuar tek Lumi i Shalës më parë duhet të kalosh tek liqeni i Komanit dhe  padyshim duhet që kjo “rrugë” të bëhet me varkë.

Gjatë udhëtimit turistët shikojnë  maje të larta malesh të mbuluara me bimësi, ndërsa në male ka disa shtëpi, ku ende banon dikush. Në ato male ndodhen edhe “Blinat e Toplanës” Monument Natyre, kategori e III-të sipas IUCN, ku ndodhen forma shkëmbinjsh edhe ndonjë shpellë.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjt e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin.