Nga 1 janari, dyfishohet ndihma ekonomike për mbi 15 mijë familje

43

Ndihma ekonomike për familjet të cilat kanë 3 ose më shumë fëmijë nën 18 vjeç do të dyfishohet duke nisur nga 1 janari i vitit 2022.

Nga kjo masë e qeverisë do të përfitojnë mbi 15 mijë familje. Qeveria ka deklaruar se buxheti i vitit 2022 ka kryefjalë paketën sociale për mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve në nevojë.

Përveç dyfishimit të ndihmës ekonomike qeveria po ashtu ka rritur pagesën e papunësisë.

Në buxhetin e vitit që vjen përcaktohet rritja me 10 % e pagesës së ndihmës ekonomike për çdo familje që është pjesë e kësaj skeme.

Ndërsa për kategoritë e veçanta të cilët janë pjesë e mbështetjes sociale direkt dhe që janë fëmijët jetimë dhe gratë e trafikuara e të dhunuara me urdhër mbrojtje, masa e ndihmës ekonomike do të trefishohet.

Këto janë tri mbështetje direkt, të cilat janë të përfshira në paketën e buxhetit 2022, i cilësuar si buxheti i qytetarëve.

Njëkohësisht në vitin 2022 paga minimale rritet nga 30 mijë lekë në 32 mijë lekë. Edhe pagat e “bluzave të bardha”, arsimtarëve dhe forcave të armatosura do të rriten me 6 %.