Durrsakët hapin dyert për turqit, qytetarët solidarizohen me të prekurit nga tërmeti

0

“Njeriu për njeriun bën gjithçka që mundet, sidomos për njerëzit që na kanë ndihmuar e u jemi borxhli.”

Ky mesazh vjen nga Durrësi, i cili sot më shumë se kurrë solidarizohet me popullin turk pas tërmetit tragjik të 6 shkurtit.

“Ato që kemi përjetuar dhe ne para 3 vjetësh, nuk ka gjë më tragjike,” – u shpreh një qytetare.

“Shih pamjet e qaj, se e kemi përjetuar shumë keq. Jemi gati t’i ndihmojmë me mundësitë që kemi,” – tha ajo.

Ndonëse shumica jetojnë ende në shtëpi me qira, për shkak të vonesave në rindërtim, durrsakët shprehen të gatshëm të hapin dyert e shtëpisë për ata që lëkundjet e tokës i lanë në qiell të hapur.

“Siç na i kanë hapur dyert, kur na ndodhi tërmeti ne edhe ne jemi të gatshëm t’ua hapim njerëzve të tjerë që u ka ndodhur kjo fatkeqësi, sepse e kemi ndjerë vetë e shyqyr që jemi gjallë,” – u shpreh një qytetar.

“Jemi me qira. Patjetër që ua hapim derën,” – tha një tjetër.

“Ne tre veta jemi, 3 dhoma një kuzhinë, le të vijnë. Gati jemi t’i lirojmë dhomat, se janë gjynah. Mes borës dhe ftohtit kanë mbetur, gjynah,” – u shpreh një zonjë.

Ata apelojnë për më shumë organizime solidarizimi nga shoqëria civile.

“Po të ketë organizime të besueshme nga shoqëria civile, pse jo?” – tha një qytetar

“Të organizohen që ta ndihmojnë sa më shumë popullin turk,” – u shpreh një tjetër.

Prandaj të dielën, një grup vullnetarësh nga Durrësi do të mbledhin ndihma, për t’ia dërguar ambasadës turke në Tiranë.

/euronews.al