Projekt i ri për transformimin e Institutit të Shëndetit Publik

11

Instituti i Shëndetit Publik, pas rindërtimit, do të kthehet në një institucion bashkëkohor, me një strukturë moderne të laboratorëve me pajisje të teknologjisë së lartë.

Sot u ndanë në rrjetet sociale pamje nga projekti për rindërtimin e ISHP-së.

“Projekti i ri për transformimin e Institutit të Shëndetit Publik, me njësinë e re të laboratorëve dhe korpusin modern, do të garantojë një standard krejt të ri shërbimi për një prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit tonë shëndetësor, në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve”, tha Manastirliu.

Faza e parë e rindërtimit të ISHP fillon me ndërtimin e godinës së laboratorëve, që fillon këtë vit, një investim i siguruar nga buxheti i shtetit dhe më pas me godinën qendrore të Institutit të Shëndetit Publik.

Projekti përfshin ndërtimin e një laboratori të ri, që do t’i shërbejë Institutit të Shëndetit Publik, i cili do të përmbledhë të gjithë laboratorët që sot ekzistojnë në godinën aktuale dhe të shpërndarë në godina të tjera, por edhe do të rehabilitojë godinën qendrore të Institutit të Shëndetit Publik duke i dhënë asaj vlera të vërteta të një institucioni, i cili zhvillohet më tej nga pikëpamja shkencore dhe nga pikëpamja organizative.

/ata.gov.al