Reduktohet numri i dokumenteve që një qytetar duhet të dorëzojë në rast të shitjes së makinës. Nga 1 marsi, kjo procedurë do të kryhet në sportelet e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Sipas këtij institucioni, qytetarët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentin e identifikimit të shitësit dhe blerësit të makinës.
Përveç kësaj, pronari i mjetit duhet të dorëzojë certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit si dhe vërtetimin RBS, të lëshuar nga regjistri i barrës siguruese. Tarifa e shërbimit që do të paguajë qytetari do të jetë 1,400 lekë. Për sa u përket dokumenteve të tjera, si certifikata e kontrollit teknik të mjetit, kontrata e sigurimit të detyrueshëm, detyrimi i taksave, detyrimi për gjoba, verifikohen online.
Pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit, makina regjistrohet direkt në sportelet e Drejtorisë të Transportit Rrugor për pronarin e ri. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor shpjegoi se procedurat e reja, përveçse do të jenë më lehtësuese për qytetarët, do të shmangin abuzimet e shumta të konstatuara me kontratat e shitblerjes. Në shumë raste janë konstatuar që edhe pas kontratës së shitblerjes, blerësit të mos i jetë transferuar pronësia e mjetit, pavarësisht nënshkrimit të aktit të shitjes.
DOKUMENTET
Dokument identifikimi të shitësit dhe blerësit
DOKUMENTET E MAKINËS:
Certifikata e pronësisë
Leja e qarkullimit
Vërtetim nga RBS (lëshuar nga regjistri i barrës siguruese)
Tarifa e shërbimit, 1,400 lekë