Rekord historik, muzeu i Luvrit në Paris u vizitua nga 10.2 mln turistë në 2018

345

Ai i Luvrit është jo vetëm muzeu më i famshëm në botë, por edhe ai që ka pritur më shumë se 10 milionë vizitorë në vitin 2018, një shifër kjo e paprecedentë për një muze ndërkombëtar, sipas drejtuesve të tij.

“Për të parën herë në historinë e tij; e unë mendoj se për të parën herë në historinë e muzeumeve; më shumë se 10.2 milionë vetë kanë vizituar Luvrin në vitin 2018”, tha Jean Luc Marinez, president dhe drejtor ekzekutiv i Luvrit.

Me 10.2 milionë vizitorë vitin e kaluar, Luvri shënoi një rritje prej 25 për qind krahasuar me 2017-n, kur 8.1 milionë vetë e vizituan atë; e kësisoj thyen edhe rekordin e shënuar prej vet atij në vitin 2012 me 9.7 milionë vizitorë.

Në 2017-n, Luvri ndiqej nga Muzeu Kombëtar i Kinës me 8 milionë vizitorë, si dhe Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork, me 7.3 milionë.

Sipas drejtorit Martinez, rekordi ka ardhur si pasojë e rritjes së turizmit ndërkombëtar në Paris, pas 30 për qind rënieje në vitet e fundit për shkak të disa sulmeve terroriste. Ai përmend po ashtu edhe punën e bërë gjatë dy viteve të shkuara, për rritjen e kapacitetit të muzeumit.

Ky i fundit i është nënshtruar një rikonstruksioni me vlerë rreth 60 milionë dollarë, financuar kryesisht me parà që vinin nga një marrëveshje me Luvrin e Abu Dhabit, që u përurua para një viti.