Shifrat fantastike/ 6.7 milionë turistë vizituan Shqipërinë në 10 muaj, ja shtetet nga erdhen

26

Shqipëria po përjeton një prej momenteve më të mira sa i përket shifrave të turizmit. Referuar të dhënave zyrtare të INSTATmbi 6.7 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në dhjetëmujorin janar-tetor të këtij viti, duke shënuar rritje me 31.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kur vendin tonë e vizituan 5.1 milionë shtetas të huaj.

Nga këta, 6.3 milionë kanë deklaruar se qëllimi i vizitës së tyre është për pushime dhe vizitë te të afërm. Përgjatë dhjetë muajve të 2022-shit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Anglia me 97,6 %, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 13,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Vetëm gjatë muajit tetor, referuar të dhënave të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar janë 754.385. Ky tregues rezulton me një rritje 25.4 %, krahasuar me tetorin e 2021-shit.

Shpenzimet e të huajve në Shqipëri, në 6 muajt e parë të vitit arritën në 1.13 miliardë euro, me një rritje prej 64% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Poal