Shumë shpejt zona e Laprakës do të ketë një kinema, e cila do të shërbejë edhe si qendër për aktivitete kulturore dhe artistike. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, ka nisur rikonstruksionin e plotë të godinës së vjetër të kinemasë në njësinë 11, e cila prej vitesh ishte jo funksionale. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe që do t’i shërbejë afro 60 mijë banorëve të zonës.
Ky investim parashikon rikonstruksionin e plotë të kinemasë së Laprakës. Projekti parashikon ndërtimin e një salle multifunksionale, e cila do të shërbejë për aktivitete të ndryshme si kinema, shfaqje, konventa, seminare, promovime librash, teatër. Mjediset e reja do t’i vijnë në ndihmë edhe nxënësve, që studiojnë në shkollat në Laprakë, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, duke përmirësuar në këtë mënyrë edhe jetën artistike të zonës, e cila deri pak vite më parë ishte lënë e harruar duke mos njohur investime nga ana e shtetit.