Vërtetimi i policës së sigurimit tani mund ta merrni në e-Albania

41

Të gjithë drejtuesit e mjeteve tashmë mund të marrin në kohë reale vërtetimin e policës së sigurimit përmes platformës “e-Albania”.

“Merrni online dhe në kohë reale vërtetimin e policës së sigurimit për mjetin që keni në pronësi me vulë elektronike dhe pa nevojën e asnjë dokumentacioni shtesë, përmes një procedure super të thjeshtuar”, bën të ditur Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Ndërkohë, sipas AKSHI-t, verifikimi i policës së sigurimit kryhet në https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx.

“Vetëm me një klik ju shkarkoni dokumentin me vlerë ligjore falas. Vlefshmëria është deri në përfundim të policës së sigurimit. Vërtetimin e gjeneruar me vulë elektronike mund ta gjeni në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” te hapësira juaj në portalin e-Albania. Të dhënat për policat e sigurimit të detyrueshëm motorik gjenerohen nga Regjistri Elektronik Online i Shitjeve”, informoi Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2021 kapën vlerën 19,268 milionë lekë, ose 16.02 % më shumë se në vitin 2020. Gjatë vitit 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,173,520 me një rritje prej 22.7 % krahasuar me një vit më parë.

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2021 arritën rreth 11,878 milionë lekë, ose 12.06 % më shumë se në vitin 2020.

Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2021, pati një rritje prej 7.36 % të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.35 % krahasuar me një vit më parë.

Produkti Karton Jeshil në vitin 2021 pati një rritje prej 31.91 % të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 66.83 % krahasuar me vitin 2020.

Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2021, pati një rritje 122.39 % të vëllimit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me vitin 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 147.56 %.