14 prill 1966, kur arkeologët shqiptarë zbuluan Amfiteatrin mbi 2 mijë vjeçar të Durrësit

37

Më 14 prill 1966, arkeologët shqiptarë zbuluan Amfiteatrin e Durrësit, të ndërtuar 19 shekuj më parë. Për ekzistencën e tij kishte prova edhe para zbulimit. Njëri prej tyre ishte edhe një mbishkrim i gjetur në muret e kalasë së qytetit, në lidhje me luftimet e gladiatorëve në amfiteatër.

Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.

Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion. Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës dhe bashkëpunimi me Universitetin e Parmës pritet të formësojë përfundimisht në të ardhmen të gjithë gjeografinë e shkueshme të Amfiteatrit.