5 gabime që duhet t’i shmangni për të mos bërë përshtypje të keqe në një intervistë pune

33

Para një interviste pune, të gjithë ne pyesim veten se çfarë pyetjesh do të na bëjnë, si t’i përgjigjemi, por ndoshta nuk e kuptojmë se sa i rëndësishëm është qëndrimi ynë.

Mënyra se si ne prezantohemi mund të jetë vendimtare për të fituar një vend pune. Ashtu siç ndodh në jetën e përditshme, një rekrutuesi mund t’i mjaftojnë vetëm pak sekonda për të krijuar një ide për kandidatin që ka përballë në një intervistë pune.

“Në këtë kohë të shkurtër, një rekrutues do të marrë vendime të rëndësishme për ju. Do të gjykojë se sa i pëlqyeshëm jeni, sa i besueshëm, sa aktiv apo pasiv jeni dhe se sa mirë do të përshtateni me pjesëtarët e tjerë të ekipit” – tha për CNBC, Gary Burnison, autor bestseller në këtë fushë dhe CEO i Korn Ferry, shoqëria më e madhe e rekrutimit në botë. Më poshtë janë pesë gabime që gurutë e rekrutimit dhe sipërmarrjes këshillojnë t’i shmangni nëse doni të bëni një përshtypje të mirë.

Të jeni jashtë kohe dhe jashtë vendi

Le ta nisim nga i pari – gabimi i parë që duhet të shmangni është të shkoni me vonesë apo përpara në një intervistë pune. Kuptuat? Nuk ka asnjë rekrutues që të mos mbajë mend se sa e rëndësishme është përpikëria. Ata që mbërrijnë më herët rrezikojnë të duken shumë në ankth, ata që vijnë me vonesë, të duken të pasjellshëm. Me pak fjalë, ju nuk do të bëni një prezantim të mirë. Po aq e rëndësishme është edhe veshja, e cila duhet të jetë formale. Këshilla e fundit – mos harroni të merrni me vete një kopje të CV-së suaj. Nëse rekrutuesi jua kërkon, nuk do të ishte mirë të mos ta kishit me vete.

Të shfaqeni mendjemadh

Në një intervistë vite më parë, por ende virale në internet, themeluesi i Microsoft, Bill Gates, foli mbi temën e intervistës së punës me një nga playmaker e Golden State Warriors, Stephen Curry. Në atë intervistë, miliarderi theksoi se sa e rëndësishme është të mos shfaqeni mendjemadh, por të jeni gjithnjë të gatshëm të mësoni dhe të përmirësoheni në një ekip pune.

Për shembull, nëse në një intervistë për një vend pune si programues ju bëjnë pyetjen klasike “Përse duhet t’ju punësojmë?”, sipas Bill Gates duhet të përgjigjeni kështu: “Duhet të shihni kodet që kam shkruar, janë të jashtëzakonshëm. Mendoj se jam përmirësuar me kalimin e kohës dhe se mund të punoj mirë me njerëzit. Mund të kritikoj disa nga kodet e tyre, por në përgjithësi, më pëlqen të jem pjesë e një skuadre. Më pëlqejnë objektivat ambiciozë. Më pëlqen të mendoj se si mund ta parashikojmë të ardhmen së bashku”.

Mos u përqendroni shumë te vetja

Jenna Goudreau, zv.presidente managing editor në CNBC, kujtoi në një artikull se të qenët shumë vetë-referues nuk është e nevojshme kur kërkoni të fitoni një vend pune. “Të flasësh pa fund për çfarë dëshiron ose se sa e bukur do të ishte përvoja për ju, është e pakuptimtë për intervistuesin. Kompanitë ju punësojnë sepse keni tipare dhe aftësi që do t’i ndihmojnë të arrijnë objektivat e tyre. Përdorini përgjigjet për të ilustruar se si mund të jeni i dobishëm për përgjegjësin e punësimeve”.

Të mos bëni pyetje

Një intervistë pune nuk është një monolog, por një moment shkëmbimi, suksesi i të cilit varet shumë edhe nga mënyra se si jemi në gjendje të përfshijmë rekrutuesin tonë. David Bliss, Communication Coach dhe Presentation Designer në Edisonred, tha në një intervistë për faqen e Robert Walters Group (grup i madh, i pranishëm në gjashtë vende dhe i specializuar në rekrutime) tha: “Mendoni për prezantimin tuaj si gjysmën e bisedës që do të bëni, më shumë se sa një monolog, ku do t’i bëni përshtypje bashkëbiseduesit tuaj me fakte dhe statistika”.

Njëkohësisht është e rëndësishme të bëni edhe pyetje, për të shfaqur me të vërtetë interes për vendin e punës. Zakonisht rekrutuesit lënë vend për pyetje në pjesën e fundit të intervistës: përfitoni nga kjo!

Mos gënjeni

Gënjeshtrat nuk janë në avantazhin tuaj dhe nëse bëhet fjalë për punën, mund të rrezikoni vendin. T’i thoni një rekrutuesi se ju jeni ende duke punuar në kompaninë e vjetër, kur në të vërtetë ju kanë pushuar nga puna, vetëm për t’u dukur më të pëlqyeshëm, do të ishte një gabim i madh.

“Gënjeshtra – shkroi për CNBC, Gary Burnison, nuk tregon respekt për intervistuesin dhe është një gabim i pafalshëm. Dikush do ta verifikojë atë që po thoni, ndaj thoni gjithnjë të vërtetën. Njerëzit duan të dinë kush jeni dhe të mos zbulojnë kush nuk jeni”.