Bazilika e Linit, një ndër destinacionet më të vizitura në Shqipëri

19

Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI, përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. DRTK Korçë publikoi në rrjetet sociale imazhe fotografike mbresëlënëse të kësaj bazilike.

Bazilika e Linit u zbulua në vitin 1967 nga një ekspeditë e muzeut të Pogradecit. Bazilika përbëhet nga naosi, dy kapela me absidë në jug dhe veri, baptiseri, atriumi, dhe një kapelë katërkonkshe.

Gjithë kompleksi ka dyshemetë e shtruara me mozaikë të cilët shfaqin motive gjeometrike, bimore dhe zoomorfe, ku mbizotërojnë elementët fetare. Mozaiku i Linit është një trashëgimi e çmuar kulturore dhe njëkohësisht konsiderohet si më i veçanti nga të gjithë mozaikët e tjerë me karakteristika fetare.

Sot kjo bazilikë së bashku me mozaikun është kthyer në një pikë interesante turistike. Ekspozimi i mozaikut të Linit ka tërhequr tashmë vëmendjen e turistëve të huaj duke e bërë Linin një ndër destinacionet më të vizitura në Shqipëri.

/ata.gov.al