Dy lajme të mira për 28-29 nëntor/ Hapet për qarkullim rruga e Arbrit dhe nis aeroporti i Vlorës

89

Dy vepra të rëndësishme infrastrukturore do të përurohen me rastin e festave të Nëntorit, konkretisht hapja e kantierit për ndërtimin e aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe hapja për qarkullim e Rrugës së Arbrit.

Në 28 Nëntor do të hapet kantieri i aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa në 29 Nëntor do të hapet për qarkullim Rruga e Arbrit.

Rruga e Arbrit është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit. Ajo do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme lidhjen e Dibrës me Tiranën, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e zonave në të cilën kalon.

Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km. Me një gjatësi rreth 74 km, ajo do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim.
Ky investim i strategjik, jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

Ndërkohë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës është shpallur fitues bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, i cili mban 50 % të aksioneve, ndërkohë ideatori është YDA Group me 48 % dhe A Group sh.p.k me 2 %.

Vlera e investimit është 103.966.030 euro.