Euro “Gjermani 2024”, rregullat e shortit të 2 dhjetorit dhe stadiumet ku do të luhen finalet

48

Shqipëria do të mësojë rivalët në grupet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” të shtunën më datë 2 dhjetor.

Në Hamburg prej orës 18:00 do të hidhet shorti për grupet e “Euro 2024”. Skuadrat janë të ndara në katër vazo dhe Shqipëria ndodhet në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë.

Gjermania, si ekipi pritës i Europianit, ndodhet në vazon e parë dhe ekipet e tjera në atë vazo janë Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia.

Në vazon e tretë ndodhen Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Çekia. Ndërsa vazo e katërt ende nuk është e plotësuar, pasi deri më tani janë të konfirmuar vetëm tre ekipe Italia, Serbia dhe Zvicra.

Tre ekipet e tjera do të përcaktohen nëpërmjet fazës Play – off, ku bëjnë pjesë 12 skuadra bazuar në performacën e tyre në Nations League. Skuadrat janë të ndara në tre grupe (A, B dhe C) dhe do të luajnë shanset e tyre në marsin e vitit 2024.

Tre fitueset e grupit do të plotësojnë edhe vazon e katërt. Europiani “Gjermani 2024” do të nisë më datë 14 qershor dhe do të ulë siparin me finalen e madhe në datë 14 korrik.

Gjermania si vendi pritës do të pozicionohet në Grupin A dhe do të luajë ndeshjen hapëse të Europianit. Për sa i përket formatit do të jetë i njëjtë si ai i “Euro 2020”.

Dy ekipet që pozicionohen të parat në grup do të kualifikohen më tej në raundin e 1/16-ve, së bashku me katër ekipet më të mira që vijnë nga vendet e treta në grupe. Më pas starton faza me eliminim direkt nga 1/16-at në çerekfinalet e Europianit, gjysmëfinalet dhe finalja e madhe.

“Euro2024” do të zhvillohet në dhjetë stadiume të klasit botëror në Gjermani, nga “Olympiastadion” në Berlin, deri në “Volksparkstadion” në Hamburg. Ndeshja hapëse e Europianit do të luhet në Mynih në stadiumin “Munich Football Arena”, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në Berlin në stadiumin “Olympiastadion Berlin”.

Më poshtë të gjitha stadiumet dhe kapaciteti i tyre:

Berlin (Olympiastadion) 70.000

Mynih (Munich Football Arena) 67.000

Dortmund (BVB Stadion Dortmund) 66.000

Shtutgart (Stuttgart Arena) 54.000

Hamburg (Volksparkstadion Hamburg) 50.000

Gelshenkirshen (Arena AufSchalke) 50.000

Dyseldorf (Düsseldorf Arena) 47.000

Këln (Cologne Stadium) 47.000

Frankfurt (Frankfurt Arena) 46.000

Lajpzig (Leipzig Stadium) 42.000

/ata.gov.al