Ja sekreti për të ruajtur produktivitetin e mendjes

110

Shumë studime tregojnë se të njohësh në mënyrë të njëjtë dy gjuhë, nxit një përdorim më eficent të funksioneve cerebrale, gjë që i lejon bilingualëve të mbajnë një performancë të lartë të mendjes.

Prej vitit 1999, 21 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Mëmë, një iniciativë e ndërmarrë nga Unesco për të festuar identitetin dhe pluralitetin e gjuhëve në botë. Objektivi kryesor është që të theksohet roli i rëndësishëm që luan gjuha si një faktor thelbësor për emancipimin e njerëzve në shoqëritë që jetojnë.

Studime të ndryshme tregojnë se te bilingualët (te personat që njohin dy gjuhë në mënyrë të njëjtë), vihen në lëvizje procese të tjera mendore, që mund të japin përfitime të habitshme për shëndetin.

Për shembull, sipas një studimi kanadaz të publikuar në “Annals of the New York Academy of Sciences”, të flasësh një gjuhë të dytë në të njëjtën mënyrë si gjuhën e parë, e bën trurin më produktiv. Më konkretisht, mendohet se muzikantët dhe bilingualët kanë një “kujtesë më të mirë pune”. Thënë ndryshe, këta persona e kanë më të lehtë të bëjnë llogari matematikore me mend apo të mbajnë mend përmendësh një numër telefoni që sapo e kanë lexuar. Sipas studimit, këta persona shpenzojnë më pak energji se njerëzit e tjerë për të kryer këto veprime. Rezultati përfundimtar, është një përdorim shumë më eficent i trurit që mund të ndihmojë në luftimin e zbehjes së funksioneve njohëse.

Në një konkluzion të tillë ka dalë edhe një studim tjetër, i publikuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences”. Sipas kërkuesve, njohja e dy gjuhëve në mënyrë të njëjtë, modifikon disa funsksione cerebrale duke e mbrojtur sistemin nervor nga disa sëmundje si Alzheimeri. Më specifikisht, procesi i mësimit dhe përdorimit të dy apo më shumë gjuhëve ndikon në aktivitetin metabolik dhe në ndërlidhjen mes zonave të caktuara të trurit, duke riparuar apo duke eliminuar simptomat e para të sëmundjeve. Ky kërkim është përqëndruar në personat bilingualë që në mosha të vogla.

Megjithëse nuk është një fakt i ri, tashmë është vërtetuar edhe nga studimet se për trurin e njerëzve është më e lehtë t’i mësojë gjuhët e huaja në moshë të re. Një studim i botuar po në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences” sugjeron se fëmijët 20 muajsh që rriten në ambiente ku fliten dy gjuhë, janë në gjendje të përpunojnë me saktësi të dyja gjuhët pa u bërë konfuzë. Gjithashtu, sipas studimit, kjo gjë nuk ndikon në vonesën e fëmijëve për të folur. Aftësia maksimale për të mësuar gjuhë të huaja është deri në 17 vjeç, e më pas gradualisht kjo aftësi fillon të zbehet.