Korab-Koritnik, shtegu “Bele-Zbinec-Stanet e Pobregut” më i vizituari në vjeshtë nga turistët

2

Vjeshta është stina e preferuar e të pasionuarve pas ngjitjeve në parkun natyror Korab-Koritnik.

Një ndër shtigjet më të preferuara për turistët është “Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut”, pjesë e këtij parku.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Kukës ndau në rrjetet sociale pamje nga ngjitja në këtë park e një grupi turistësh.

“Shtegu “Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut”, pjesë e Parkut Natyror “Korab-Koritnik” është një ndër destinacionet turistike më të bukur dhe më të vizituar nga turistët. Shtegu ka një shkallë vështirësie mesatare. Përgjatë këtyre muajve, ai ofron ngjyra vjeshtore të mrekullueshme”, theksoi ADZM Kukës.

Parku natyror Korab-Koritnik nga muaji janar deri në shtator u vizitua nga 39 735 turistë, nga të cilët 18810 vendas dhe 20925 të huaj.

Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

/ata.gov.al